Site icon Telegrafi

Man United mposht Man Cityn në finale të FA Cup – siguron kualifikimin në Ligën e Evropës

Manchester United ka triumfuar me rezultat 2-1 ndaj Manchester Cityt në finale të FA Cup, ndeshje kjo e cila u zhvillua në stadiumin ‘Wembley’.

Mysafirët gjetën golin e parë në minutën e 30-të pas një gabimi fatal të Josko Gvardiol që i mundësoi Alejandro Garnachos të shënoi në portën e zbrazët për 1-0.

‘Djajtë e Kuq’ nuk u ndalën më kaq dhe gjetën golin e dytë me anë të Kobbie Mainoo i cili realizoi për 2-0 në minutën 39-të pas një asistimi fantastik nga Bruno Fernandes.

Me epërsi të dyfishtë të ‘Djajve të Kuq’ përfunduan 45 minutat e para të këtij takimi.

Në pjesën e dytë City e dominoi tërësisht ndeshjen duke rrezikuar në disa raste portën e Onanas, para se të gjejnë eventualisht golin.

Erling Haaland (55’) bëri një goditje të fuqishme por traversa ishte aleat i ‘Djajve të Kuq’ në ato momente.

City rrezikoi edhe në tri raste të tjera me anë të Phil Foden, Erling Haaland dhe Kyle Walker por pa arritur të gjejnë golin.

Pas disa tentimeve të njëpasnjëshme ‘Qytetarët’ e gjetën golin me anë të Jeremy Doku i cili në minutën e 87-të me një goditje jashtë zonës mposht Andre Onanan për të ngushtuar rezultatin në 2-1.

Sidoqoftë, kjo ishte e tëra që Man City mundi të bënte pasi deri në fund Unitedi e menaxhoi mirë rezultatin dhe mori trofeun e vetëm këtë sezon, që po ashtu ua mundëson pjesëmarrjen në Ligën e Evropës sezonin e ardhshëm./Telegrafi/

Exit mobile version