Komuna e Malishevës ka mbajtur sot një seancë solemne me ç’rast ka ndarë çmimin “Qytetar Nderi”, për tre personalitete nga shteti New York i SHBA-së, ndër ta themeluesit të shoqatës Shqiptaro-Amerikane, Naser Nika.
Kryetari i Komunës së Malishevës, Ekrem Kastrati, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se përherë u është mirënjohës popullit mik amerikan, për kontributin dhe përkrahjen e jashtëzakonshme për komunitetin shqiptar në New York të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
“Ditë e bukur e krenare për secilin qytetar të Malishevës, që sot, përmes një ngjarje solemne, me propozimin tim, u kemi ndarë çmimin “Qytetar Nderi” tri personaliteteve amerikane nga shteti i New York-ut, z. David Carr – anëtar i Këshillit të shtetit të New York-ut, z. Charles D. Fall – anëtar i Asamblesë së shtetit të New York-ut dhe veprimtarit të njohur, njëherit themeluesit të shoqatës Shqiptaro-Amerikane, z. Naser Nika”, ka shkruar Kastrati.
“Komuna e Malishevës përherë u është mirënjohës popullit mik amerikan, për kontributin dhe përkrahjen e jashtëzakonshme për komunitetin shqiptar në New York të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, por edhe të përkrahjes së vendit tonë në rrugën e lirisë dhe shtetndërtimit”, ka shkruar kryetari i Malishevës. /Telegrafi/