Site icon Telegrafi

Malisheva me probleme të furnizimit me energji elektrike, Kastrati: Këtë diskriminim e poshtërim qytetarët nuk do ta harrojnë

Malisheva por jo vetë, në stinën e dimrit po përballet me reduktime të energjisë elektrike.

Kështu së paku ka thënë kryetari i kësaj komune Ekrem Kastrati.

Ai përmes një shënimi në Facebook ka thënë se për më tepër reduktimet e energjisë po bëhen pa paralajmërim.

“Ky është viti i 3-të radhazi që pikërisht në stinën e dimrit, Malisheva bashkë me qytetarët e saj, mërgimtarët dhe bizneset, po marrin goditjen më të rëndë të mundshme, atë të mungesës së energjisë elektrike, madje me ndërprerje të pakontrolluara dhe pa asnjë njoftim paraprak mbi orarin e reduktimeve”, ka shkruar Kastrati.

Me këtë rast ai ka kërkuar nga KEDS-i dhe qeveria trajtim më të drejt në furnizim me energji elektrike të Malishevës.

“I bëj thirrje kryeministrit, KEDS-it dhe mekanizmave tjerë të nivelit qendror, që shqetësimin e Komunës së Malishevës për këtë trajtim kaq të pa ndershëm që po u bëhet qytetarëve tanë, që edhe në prag të vitit 2024, vetëm komunën tonë po e lenë në terr, të trajtohet urgjentisht, në mënyrë që Malisheva të furnizohet me energji elektrike, ashtu si çdo komunë e Kosovës”.

Ai thotë se ky është një poshtërim për qytetarët e Malishevës.

“Kjo qasje e juaja karshi këtij problemi kaq të madh për qytetarët tanë, është hiç më pak se diskriminim e poshtërim, që Malisheva dhe banorët e saj, historikisht nuk i kanë pranuar, madje as nuk i harrojnë lehtë”, ka përfunduar Kastrati./Telegrafi/

Exit mobile version