Majlinda Kelmendi ka bërë vend në historinë moderne të Kosovës.
Vajza nga Peja bëri krenarë të gjithë shqiptarët kur në Rio fitoi medaljen e parë të artë olimpike për Kosovën.
Xhudistja nga Peja realizoi ëndrrën e saj për medaljen e artë olimpike, madje për herë të parë himni i Kosovës u luajt në një olimpiadë falë punës dhe talentit të xhudistes.
E gjithë kjo nuk u arrit lehtë pasi Majlinda për të arritur në piedestalin e Rios iu desh sakrificë.
Ajo ishte e lënduar, por as kjo nuk e pengoi që vendit të saj t’i sjell lumturi.
25-vjeçajra triumfoi në kategorinë 52 kg ku në finale mposhti italianen Odette Giuffrida.
Kelmendi e nisi garimin e saj në fazën e 1/8 kur arriti të mundë në vetëm 25 sekonda zviceranen Evelyne Tschopp me një “ippon” prej mjeshtre të vërtetë.
Në çerekfinale përballë saj ishte xhudistja nga Mauritius, Christianne Legentil, që e kishte eliminuar në Olimpiadën e Londrës.
Por këtë herë Majlinda, me katër vjet përvojë më shumë mbi supe dhe si kampione e Botës arriti të shfaqë gjithë forcën e saj duke fituar pa shumë probleme për të siguruar një vend në gjysmëfinale.
Përballë saj ishte japonezja Nakamura, një ish kampione e Botës.
Një finale e parakohshme e cila u kuptua dhe nga beteja e fortë mes dy xhudisteve. Japonezja që në fillim u ndëshkua me një penalitet dhe provoi të kthente ndeshjen duke provuar të rrëzojë në tapen Majlindën, por xhudistja pejane rezistoi për të marrë finalen e saj dhe njëkohësisht për të konfirmuar të parën medalje në një Olimpiadë për vendin e saj.
Majlinda dhe e gjithë Kosova u emocionuan ajo u ngrit në podium dhe mori medaljen e parë.
Pritje madhështore u organizua për të në Prishtinë dhe Pejë ku shumë qytetarë dolën rrugëve për ta përshëndetur suksesin e saj.
Majlinda, është dhe do të mbetet mbretëresha e sportit shqiptar, ku edhe në të ardhmen do t’i gëzojë të gjithë shqiptarët anekënd me fitoret e saj. /Telegrafi/