Site icon Telegrafi

Mahmuti: Duhet konsensus për padinë ndaj Serbisë për gjenocid

Ish-përfaqësuesi politik i UÇK-së, Bardhyl Mahmuti ka thënë se opinioni publik në Kosovë çuditërisht është ballafaquar me një pseudoproblem në çështjen e padisë për gjenocid të Serbisë, duke e ndërlidhur atë me rastin e padive të Bosnje e Hercegovinës dhe Kroacisë. Sipas tij, ato raste nuk mund të ndërlidhen me rastin e Kosovës.

Mahmuti thotë se në Kosovë duhet të ketë një konsensus sa i përket padisë kundër Serbisë për gjenocid.

“Nëse e marrim ta lexojmë vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë edhe Bosnja edhe Kroacia është dashur ta dëshmojnë se Serbia ka qenë e përfshirë drejtpërdrejt në këto krime. Aty pranohet se ka qenë e përfshirë indirekt, por nuk janë ofruar dëshmi konkrete që ka qenë e përfshirë direkt. Në Kosovë kjo gjë është tërësisht e qartë sepse nuk kemi konflikt ndëretnik por është një aparat shtetëror që me tërë arsenalin e tij të dhunës që ka kryer gjenocid mbi shqiptarët. Dhe këtu nuk duhet t’i ngatërrojmë gjërat sepse ajo çka ka ndodhur në Srebrenicë janë dënuar kriminelët Ratko Mlladiq dhe Radovan Karaxhiq, por dëshmitë që shteti serb ka qenë drejtpërdrejt kanë qenë të pamjaftueshme për ta mbajtur Serbinë përgjegjëse në gjenocid”, ka thënë Mahmuti në RTK.

Sipas tij një gabim tjetër që bëhet në Kosovë është se përmenden numrat e qindra masakrave.

“Me normat juridike të së drejtës penale ndërkombëtare në kuadër të drejtësisë ndërkombëtare është e përkufizuar në mënyrë të qartë se edhe në një rast të vetëm nëse kemi një vrasje apo më shumë vrasje të një pjesëtari të një grupi etnik, nacional, fetar nëse qëllimi ka qenë që ky grup të shkatërrohet tërësisht është një akt gjenocidal. Me normat ndërkombëtare edhe spastrimi etnik kualifikohet si gjenocid, e këtu kemi prova të pakontestueshme sepse Maqedonia, Shqipëria dhe Mali Zi mund të dëshmojnë për gjithë ata njerëz që janë depërtuar”, ka shtuar ish-përfaqësuesi politik i UÇK-së.

Lexo po ashtu Promovohet romani i Bardhyl Mahmutit mbi të vërtetën e gjenocidit serb në Kosovë

Ai ka thënë se dëshmitë për gjenocid janë aq të fuqishme por nuk duhet të krijohen konfuzione me normat ndërkombëtare.

“Dëgjoj njerëz jo kompetent që fatkeqësisht vënë në dyshim se si përkufizohet gjenocidi. Është turp që një intelektual shqiptar nuk i lexon normat juridike të drejtës penale të drejtës ndërkombëtare dhe vjen spekulon dhe hap huti në masë e që i shkon në interes vetëm Serbisë, por jo Kosovës”, ka nënvizuar Mahmuti.

Sipas tij në Kosovë duhet njëzëri të thuhet se këtu ka ndodhur gjenocid dhe të ndalen pseudodefinicionet e paqëndrueshme që janë në kundërshtim me normat ndërkombëtare.

“Ato norma janë në favorin tonë dhe si të tilla duhet të shfrytëzohet në interes të shqiptarëve. Ne duhet ta bindim edhe botën se këtu është bërë gjenocidi. Në mënyrë që kur të bëhet padia të fitojmë atë. Dosjet duhet të përgatiten në detaje, e paralelisht në rrafshin diplomatik të mos mbetet asnjë njeri pa u informuar me atë çka ka ndodhur. Është një punë e mundimshme por është e rëndësishme që të ketë një konsensus në lidhje me këtë çështje”, është shprehur Mahmuti.

Exit mobile version