“Made in FC Ballkani”, magjepsën kundër Armenisë – Dellova, Emërllahu dhe Rrahmani vendosin fatin e ndeshjes
Kosova ka triumfuar bindshëm 5-2 ndaj Armenisë në një miqësore të zhvilluar në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.
Ajo që e bëri edhe më të veçantë këtë fitore ishte fakti se tre prej golashënuesve kryesorë, Lumbardh Dellova, Lindon Emërllahu dhe Albion Rrahmani, janë ish-lojtarë të Ballkanit të Suharekës – skuadër që u ka shërbyer si trampolinë drejt Evropës.
Dellova, që tani luan për CSKA Sofja, shënoi një super gol nga distanca në minutën e 23-të, duke e barazuar rezultatin në 1-1.
Më pas, Lindon Emërllahu, i cili tani luan për CFR Cluj, e kaloi Kosovën në epërsi 3-2 pas një topi të kthyer në minutën e 71-të.
Në fund, Albion Rrahmani, golashënuesi i njohur që aktivizohet me Spartën e Pragës, shënoi dy herë: fillimisht për 4-2 pas një aksioni këmbëngulës dhe më pas, me një depërtim të bukur në zonë, vulosi rezultatin përfundimtar 5-2.
Treshja që dikur ndante të njëjtën fanellë të Ballkanit ka lënë gjurmë edhe sot, duke i dhënë Kosovës fitoren e merituar në këtë sfidë miqësore.
Në këtë ndeshje, tetë futbollistë të Kosovës që kanë dal nga Superliga u aktivizuan, ndërsa tre prej tyre shënuan gola vendimtarë. Përveç tre të lartë përmendurve, nga fillimin e nisën ndeshjen edhe Ilir Krasniqi (Kolos), Muharem Jashari (CZN), Ermal Krasniqi (Sparta) Baton Zabërgja (Dinamo Tirana) që kishin paraqitje shumë të mirë, ndërsa minuta kishte edhe për Dion Gallapeni e Prishtinës.
Kjo ndeshje tregoi edhe një herë rëndësinë e Superligës së Kosovës si një terren i frytshëm për zhvillimin e talenteve që më pas kontribuojnë në arenën ndërkombëtare. /Telegafi/


