Lumi Buna është një nga destinacionet më të preferuara të turistëve vendas dhe të huaj që zgjedhin të vizitojnë Shkodrën.
Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale pamje të peizazheve mbresëlënëse që ofron Buna, e kthyer në këto ditë të nxehta vere në një oaz për shumë vizitorë që zgjedhin freskinë e ujërave të tij.
“Me një parajsë të fshehur në lumin Buna vetëm pak kilometra nga Shkodra, ku natyra shijohet në një tjetër përmasë për të krijuar emocione krejt të veçanta gjatë këtyre ditëve të gushtit”, u shpreh Rama.
Qeveria po zgjeron investimet në Shkodër, me qëllim nxitjen e turizmit në këtë rajon.
Aktualisht në hyrje të qytetit të Shkodrës, në afërsi të Urës së Vjetër të Bunës, po punohet për molin e ri me një platformë lundruese, e përshtatshme për lidhjen e varkave.
Ky investim që kap vlerën e 1.2 milion eurove, pritet të ketë ndikim të dukshëm jo vetëm në lundrimin e Bunës dhe liqenit të Shkodrës, por edhe në turizëm.
Ndërtimi i tre moleve në Shkodër si dhe ndërlidhja kufitare me lundrim dhe rrugë me fshatrat në breg të liqenit në Malin e Zi do t’i hapë një perspektivë krejt tjetër turizmit në këtë zonë.