Mijëra qytetarë kosovarë kanë mirëpritur sot ish-presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bill Clinton. Me duartrokitje, përqafime dhe lule qytetarët e Kosovës falënderuan ish-presidentin Clinton për ndërhyrjen e NATO-s në Kosovë para 20-viteve.
Për parakalimin e ish-presidentin amerikan në sheshet e Prishtinës është përkujdesur edhe Policia e Kosovës, të cilët kontrolluan çdo lëvizje të qytetarëve, kështu duke duke i siguruar presidentin Clinton një lëvizje të lirë dhe të sigurt, transmeton Telegrafi.
Clinton u tregua i afërt me qytetarët e Kosovës, të cilët pavarësisht temperaturave të larta, qëndruan me orë të tëra për t’i uruar mirëseardhje ish-presidentit amerikan, ndërsa ai në disa raste iu afrua qytetarëve duke iu dhuruar atyre përqafime.
Gjithashtu qytetarët ishin përkujdesur për t’i uruar një mirëseardhje të veçantë mikut të Kosovës, ata kishin krijuar flamurin e Kosovës dhe atë të Shteteve të Bashkuara në përmasa shumë të mëdha.
Presidentin Clinton në parakalim e shoqëruan edhe personalitete të larta vendore e ndërkombëtare.
Ecja e ish-presidentit amerikan filloi nga hoteli “Swiss Diamond”, deri te Busti i Sekretares Albright.
Bill Clinton, po qëndron në Kosovë për nder të shënimit të 20-vjetorit të hyrjes së trupave të NATO-s në Kosovë, ai ka thënë se ndihet i nderuar që është kthyer në Kosovë për të përkujtuar 20 vjet paqe.
Për nder të 20-vjetorit të hyrjes së trupave të NATO-s janë organizuar ngjarje të ndryshme./Telegrafi/