Në ditët e fundit ishte folur për një transferim të Luis Suarez në radhët e River Plate, por ish-sulmuesi i Barcelonës ka konfirmuar se nuk do t’i bashkohet skuadrës argjentinase këtë verë.
River ishte shumë pranë për të nënshkruar me Suarez, i cili është në dispozicion si një transferim i lirë pas skadimit të kontratës së tij me Atletico Madridin.
Gjithsesi, sulmuesi ka sqaruar gjithçka duke thënë se ishte i emocionuar nga oferta, por gjërat nuk shkuan siç ai i parashikoi në fillim, pasi skuadra u eliminua nga Copa Libertadores.
“Sinqerisht isha shumë i emocionuar për mundësinë që të transferohesha te River Plate. Një nga arsyet ishte të luaja në Copa Libertadores. Ishte një ëndërr që dëshiroja të fitoja një kupë edhe në Amerikën e Jugut, por kjo mundësi u zbeh dhe u zhduk me eliminimin e skuadrës”.
“Një muaj e gjysmë më parë deklarova se nuk do të largohem nga Evropa, por River insistoi dhe insistoi aq shumë sa e mora në konsideratë këtë mundësi dhe ishim shumë pranë”.
“Sado që dikush të thotë diçka, kur të vijë koha do të merret parasysh. Jam i emocionuar që më duan kaq shumë. Lojtarët kanë nevojë për dashuri. River Plate e bëri diçka të tillë me mua, por gjërat nuk shkuan siç i planifikuam në fillim”, deklaroi sulmuesi.
Suarez për momentin vijon të jetë një lojtarë i lirë dhe ende nuk ka një skuadër konkrete për sezonin e ri.
35-vjeçari kërkon një klub që ka ambicie për të luftuar për trofe./Telegrafi/