Telegrafi

Lojtari i Comos pezullohet me 10 ndeshje për racizëm ndaj Hwang të Wolves, e thirri në emër të një aktori

Futbollisti italian i Comos, Marco Curto u dënua me 10 ndeshje mos-lojë pasi e quajti “Jackie Chan” koreanin Hwang Hee-chan gjatë një ndeshjeje miqësore kundër Wolverhampton Wanderers në verë.

Ekipi anglez Wolves dhe ai italian Como zhvilluan një ndeshje miqësore në Marbella më 16 korrik, e cila u karakterizua nga sjellja skandaloze e lojtarëve të skuadrës italiane dhe e gjitha kulmoi me mbrojtësin 25-vjeçar Curto në një moment që thirri “Jackie Chan” koreano-jugorin Hwang Hee-chan.

Pas takimit, folën nga Como dhe konfirmuan historinë që Hwang u thirr me emrin e një aktori të famshëm nga Hong Kongu, por ata vunë në dukje se nuk shihnin ndonjë racizëm në të.

Sot, FIFA e dënoi Curton me dhjetë ndeshje pezullim, gjysma e të cilave me kusht.

“Marco Curto u gjet përgjegjës për sjellje diskriminuese dhe u dënua me 10 ndeshje pezullim. Gjysma e këtyre ndeshjeve janë një dënim me kusht për një periudhë prej dy vjetësh, dhe lojtari është urdhëruar gjithashtu të bëjë shërbime ndaj komunitetit dhe edukim”, njoftoi FIFA.

Ajo që është veçanërisht interesante është se, pavarësisht se e mbështetën, drejtuesit e Comos e dërguan atë në huazim vetëm tetë ditë më vonë te Cesena, e cila tani do të jetë pa një mbrojtës për pesë ndeshjet e ardhshme të Serie B. /Telegrafi/