Site icon Telegrafi

Lojërat e fshatit dhe…

Observime për ngjashmërinë e Kriketit anglez me lojën Kullaz të shqiptarëve dhe disa fjalë për lojën Guxhaz dhe guxharët e politikës në Kosovë!

Kriketi (Cricket) është një lojë tradicionale fshatare e cila është shumë e popullarizuar dhe e dashur për anglezët. Nëse i thoni një anglezi se kjo lojë është pa lidhje, ai do të hidhërohej shumë me ju. Është sikur kur i thoni një shqiptari se flija është ushqim katastrofal (çfarë është në të vërtetë).

Në realitet, kriketi është lojë monotone, jodinamike dhe tërësisht e pakuptimtë. Megjithatë, në Angli fshati që nuk ka fushë kriketi, nuk është fshat aspak.

Sidoqoftë, loja e kriketit zhvillohet përafërsisht kështu: Njëri, që në dorë mban një top të drurit të mbështjell me lëkurë, gjuan për t’i rrëzuar dy shkopinj të cilët qëndrojnë horizontalisht mbi tre shkopinj tjerë vertikalë. Shkopinjtë mbrohen nga një tjetër i cili në duar mban një lloj stupci – pak si në formë të dërrasës.

Spektatorët e lojës janë banorët e fshatit, shumica gra, të cilat sjellin edhe ushqim me veti pasi që loja zgjatë shumë. Kur shënohet ndonjë poen, gjë që ndodhë rrallë, gratë ngrihen në këmbë për të brohoritur dhe duartrokitur. Ndodhë, më shumë se shpesh, që kjo gjendje të vazhdojë edhe të nesërmen. Në këtë foto unë nuk jam kurrsesi lojtarë edhepse jam i veshur ngjajshëm me lojtarët në të bardha dhe që në krah e kam numrin 3. (Veshja dhe qëndrimi im në këtë skenë është i një spektatori të rastësishëm).

Kriketi ka ngjashmëri me lojën tonë që ne e quajmë Kullaz e që dikur është luajtur shumë në fshatrat tona. Në rastin tonë, nga një distancë e ngjashme me këtë të kriketit, një njeri gjuan me gurë për ta rrëzuar kullën që është një grumbull gurësh që qëndrojnë njëri mbi tjetrin. Këto dy lojëra mund të jenë të ngjashme me njëra tjetrën por, siç është vërtetuar, në mes shqiptarëve dhe anglezëve ekziston një dallim i madh. Anglezët e ruajnë traditën për t’u mburrur me të, kurse shqiptarët e shkatërrojnë pasi që turpërohen nga ajo. Anglezët jo vetëm që i kanë ruajtur lojërat e tyre, por edhe i kanë eksportuar.

Ne (shqiptarët, pra) e kemi edhe një lojë të cilën më nuk e luajmë në formën origjinale, por e përmendim shpesh. Fjala është për lojën Guxhaz e cila është lojë çobanësh dhe për të cilën ne flasim shumë e shkruajmë pak. Në fakt, unë për vete për herë të parë po shkruaj për këtë lojë sa që nuk jam i sigurt nëse shkronja karakteristike e emrit diskutabil shkruhet me të butë apo me të fortë. Për çdo rast, e përdora të fortën – ndoshta edhe për shkak të gjinisë që i takoj, e cila ka dëshirë të tregohet e fortë sidomos në procesin për të cilin është krijuar sinonimi. Duhet theksuar se emri i lojës (Guxha-z) sot përdoret gabimisht për konotacione negative të cilat zakonisht kanë të bëjnë me veprimet apo pamjet e natyrës seksuale mashkullore.

Sidoqoftë, të kthemi te loja. Në lojën Guxhaz rolin kryesor e ka guxhari. Ai me një shkop e ruan një birë në të cilën lojtarët tjerë mundohen ta fusin një gogël të madhe ose ndonjë objekt tjetër në formë topi që nuk duhet të jetë më i madh se një grusht burri. Lojtarët tjerë, po ashtu me shkopinj, e endin topin me pasime (tika-taka), por që cak e kanë birën. Gjatë endjes së topit, guxhari e ka për detyrë t’i pengojë pasimet dhe njëkohësisht ta ruajë birën. Ai lodhet shumë nga ky proces i cili quhet valavitje. Në shikim të parë loja është e ngjashme me hokejin mbi akull apo mbi barë, por analizimet e mëtejme hedhin në shesh shumë dallime.

Megjithatë, në lojën tonë guxhari ka pozitë të vështirë dhe delikate. Nga kjo kanë rrjedhë edhe shprehjet që kanë përdorur njerëzit gjatë të folurit, kur kanë dashur ta krijojnë krahasimin. P.sh. kur dikush gjatë jetës së tij ka mbet në një pozitë të vështirë dhe të pashpresë, është quajtur guxhar. Shprehja guxhar është përdorur edhe për të papunët dhe për ata që nuk kanë profesion: ‘Kish mbetë guxhar filani’; kur vinte dikush i pavyeshëm, thoshin: ’Erdh ky guxhari’; për njerëz të parëndësishëm: ‘Guxhar hesapi’; për njerëzit që nuk kishin pamje të bukur fizike: ’filani/fistekja ish si guxh tupani’ etj.

Nëse e keni parasysh skenën tonë të sotme politike do ta kuptoni më mirë domethënien e fjalës dhe do të shihni që ajo (skena) është plot me guxharë. Shumë prej tyre nuk kanë hyrë në politikë për të kryer punët e shtetit, por aty janë për ta luajtur rolin e guxharit. Pra, për ta ruajtur simbolikisht, por më shumë praktikisht, ‘birën’ e tyre që u sulmohet nga të gjitha anët. Nuk e kanë lehtë, por e ruajnë mirë pasi që shumë prej tyre kanë prejardhje rurale dhe e kanë luajtur këtë lojë sa kanë qenë çobanë. Prandaj, ja valavitin njëri-tjetrit me mjeshtëri.

Kohëve të fundit guxharëve të politikës sonë, aty-këtu, u është bashkuar edhe ndonjë grua për të cilat tashti kam dilemë nëse duhet të quhen guxharica apo guxharesha.

Exit mobile version