Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka ka paralajmëruar se me investimet që do të bëhen së shpejti në rrjetin e ujësjellësit, Komuna e Fushë Kosovës brenda vitit do të ketë furnizim me ujë 24 orë.
Këto komente Ministri Lluka i bëri gjatë vizitës në Komunën e Fushë Kosovës, i shoqëruar nga drejtorit i KRU “Prishtina”, Ilir Abdullahu, me ç’rast me kreun e Komunës Burim Berisha kanë diskutuar për furnizimin e rregullt me ujë për këtë komunë dhe zhvillimin e gjithmbarshëm ekonomik.
“Është e çuditshme qysh deri tash nuk kemi pas furnizim të rregullt. Fushë Kosova ka mbetur anash për një investim simbolik dhe jemi ulur sot me kryetarin e Fushë Kosovës, kryeshefin ekzekutiv i KRU “Prishtina”, që të shikojmë se si mundemi ta zgjidhim këtë problem”, tha ai.
Sipas Ministrit, brenda disa javësh do të merret vendimi për financimin e këtij projekti dhe pastaj do të fillohet me procedurat të tjera të nevojshme, dhe deri në muajin shtator do të mund të realizohet ky projekt që qytetarët e Fushë Kosovës të kenë ujë të pijshëm 24 orë.
Nga ana e tij, Kryetar i komunës së Fushë Kosovës, Burim Berisha falënderoi ministrin për angazhimin duke premtuar se së bashku do të punojnë në zgjidhjen e këtij problemi.
Ndërsa, drejtori i KRU “Prishtina”, Ilir Abdullahu, tha se arsyeja e mos furnizimit të Fushë Kosovës me ujë të pijshëm, ka qenë financimi dhe se me projektin që do të kushtojë 400 mijë euro do të zgjidhet ky problem. /Telegrafi/