Site icon Telegrafi

Llogaridhënia financiare si parakusht për luftimin e korrupsionit politik

Ilustrim

Fitim Mulolli

Subjektet politike janë esenciale për funksionim demokratik të një vendi; janë mjete për pjesëmarrje politike të qytetarëve dhe sigurojnë pluralizëm politik. Si të tilla, krijojnë debat demokratik në shoqëri dhe u ofrojnë qytetarëve mundësi të zgjedhjes në bazë të ideologjive që përfaqësojnë. Duke qenë bartës të proceseve demokratike dhe përfaqësues të popullit, subjektet politike duhet të shërbejnë si shembull i respektimit të vlerave demokratike. Rrjedhimisht, ato duhet të shfaqin standardet më të larta etike dhe të veprojnë në përputhje me parimin e sundimit të ligjit. Kjo nënkupton domosdoshmërisht edhe funksionim të brendshëm demokratik dhe transparent.

Duke pasur parasysh ndjeshmërinë dhe rëndësinë e subjekteve politike, kufiri i ndërhyrjes nga shteti në rregullimin e tyre ka qenë vazhdimisht pjesë e debatit akademik e profesional. Qëllimi kryesor i këtij kufiri është ruajtja e funksionimit të pavarur të subjekteve politike pa ndërhyrje nga shteti. Udhëzimet e Komisionit të Venedikut për Rregullim të Partive Politike, që shërbejnë si udhërrëfyes për legjislacionin mbi subjektet politike në vendet demokratike, specifikojnë që “kontrolli i shtetit mbi partitë duhet të jetë minimal, dhe duhet të kufizohet vetëm në ato [masa] që janë të domosdoshme për një shoqëri demokratike”. Derisa ka dallime ndërmjet akademikëve dhe legjislacionit të shteteve demokratike rreth kufirit të ndërhyrjes së shtetit në funksionimin demokratik të subjekteve politike, për një gjë ka unitet: llogaritë financiare të partive politike, posaçërisht ato që financohen nga buxheti i shtetit, siç është rasti me Kosovën, duhet t’ju nënshtrohen procedurave strikte të raportimit dhe të auditimit. Në përputhje me këtë qëndrim, Udhëzimet e Komisionit të Venedikut, në Parimin 11 (Llogaridhënia) shprehimisht kërkojnë vendosjen e obligimeve speciale mbi partitë politike për raportim dhe transparencë në financa për shkak të statusit të privilegjuar që kanë brenda shteteve përkatëse.

Në rastin e Kosovës, transparenca në financim të subjekteve politike bëhet edhe më e rëndësishme, për dy arsye: e para, subjektet politike në Kosovë marrin fonde të konsiderueshme nga buxheti i Republikës së Kosovës; dhe, së dyti, për shkak të tendencës së bizneseve dhe individëve të caktuar në shoqëri të cilët donacionet në subjekte politike i shohin si investim për të përfituar nga tenderët institucional.

Fatkeqësisht, tash e sa vjet në Kosovë ka munguar transparenca në financimin dhe shpenzimet e subjekteve politike. Dështimet në raportim dhe auditim të financave të partive politike nuk kanë qenë të rastësishme. Faji për këtë shpesherë i është veshur institucioneve përgjegjëse për kontraktim të auditorëve, ndonëse shkaku kryesor i mosauditimit vazhdon të jetë mungesa e vullnetit politik. Mbi katër milionë euro në vit, para të mbledhura nga tatimet e qytetarëve të Republikës së Kosovës, janë shpenzuar pa iu nënshtruar procedurave të auditimit ose duke iu nënshtruar auditimit me vonesa nganjëherë disavjeçare. Pavarësisht statusit ligjor të partive politike, çdo subjekt që pranon mjete nga buxheti i shtetit duhet të arsyetojë çdo cent të marrë nga djersa e qytetarëve të varfër të Republikës së Kosovës.

Derisa partitë politike nuk po gjejnë gjuhë të përbashkët dhe koncensus për shumë sfida politike në vend, për ironi ato janë unike dhe të përbashkuara rreth rregullimit të financimit të subjekteve politike. Fatkeqësisht, ky unitet në këtë rast po shkon në dëm të qytetarëve dhe të shtetit të Kosovës brenda dhe jashtë kufijve. Ligji aktual në fuqi, që rregullon këtë fushë, është dëshmuar të jetë i mangët dhe se ka nevojë urgjente për ndryshim. Është konstatuar nevoja për:

i) rregullim të definicionit të kontributit;
ii) rritje të pavarësisë dhe resurseve njerëzore e financiare të Zyrës për Regjistrim dhe Certifikim të Partive Politike;
iii) avancim të kërkesave për raportim dhe auditim;
iv) aplikim të sanksioneve efektive dhe proporcionale.

Të gjitha këto mangësi ishin adresuar në tekstin e projektligjit për të ndryshuar ligjin aktual gjatë vitit 2018, të hartuar me mbështetje ndërkombëtare dhe të organizatave të shoqërisë civile në Kosovë, si dhe të lavdëruar nga Komisioni i Venedikut (përmes Opinionit 922/2018). Mirëpo, në dy tentimet e bëra për miratim të projektligji, partitë ishin unike në dëmtimin e tekstit të ri gjatë procedurave të miratimit në Kuvendin e Republikës së Kosovës. Disa prej partive kanë propozuar amendmente tejet të dëmshme gjatë procedurës së miratimit në vitin 2019, ndërsa partitë tjera gjatë procedurës së miratimit – në fund të vitit 2020 – në tentimin e dytë të ndryshimit të ligjit aktual. E gjithë kjo u ndodhi pavarësisht zotimit të qartë të bërë nga elita politike e Kosovës, për reformim të legjislacionit për financim të subjekteve politike dhe për bërjen prioritet të këtij zotimi brenda Agjendës për Reforma Evropian, të njohur si ERA.

Duhet potencuar se komuniteti ndërkombëtar në shumë raste ka potencuar se jotransparenca në financim të subjekteve politike është e lidhur e drejtpërsëdrejti me dyshimet e bazuara për korrupsion në nivel të lartë. E, luftimi i korrupsionit është i lidhur drejtpërsëdrejti me liberalizim të vizave.

Për më tepër, në shumë raporte monitoruese të organizatave ndërkombëtare dhe vendore, është dëshmuar lidhja ndërmjet donatorëve të subjekteve politike dhe shpërblimit të tyre me kontrata përmes tenderëve në nivel qendror e komunal. Kjo është tërësisht në kundërshtim me Udhëzimet e Komisionit të Venedikut sipas të cilave “rregullimi i partive politike është esencial për të garantuar pavarësinë e tyre nga ndikimi negativ i donatorëve privat” dhe të cilat parashohin financimin nga buxheti i shtetit si mjet për të “parandaluar korrupcionin dhe varësinë nga donatorët privat”.

Ndryshimi i Ligjit për Financimin e Subjekteve Politike ndodhet tashmë në procedurë ligjvënëse në Kuvendin e Republikës së Kosovës dhe pritet shqyrtimi i tij në të dy leximet nga ana e deputetëve. Elita politike e Kosovës e ka rastin, edhe një herë, ta dëshmojë përkushtimin e qartë real e jo vetëm deklarativ për sundimin e ligjit dhe për luftimin e korrupsionit. As e para e as e dyta nuk bëhen pa ndryshimin e këtij ligji dhe në përputhje me rekomandimet e Komisionit të Venedikut sipas Opinionit 922/2018, për ta dëshmuar seriozitetin – para qytetarëve të Republikës së Kosovës dhe komunitetit ndërkombëtar – në luftimin e korrupsionit politik, reformimin e këtij legjislacioni dhe përmbushjen e obligimeve për integrim evropian.

Ky editorial është shkruar për Institutin Demokratik të Kosovës (KDI)

Exit mobile version