Llapi dhe Trepça ’89 kanë luajtur baras 2-2 në ndeshjen e vlefshme e vlefshme për javën e dytë në ALBI Mall Superliga e Kosovës.
Ndeshja e zhvilluar në stadiumin “Zahir Pajaziti” në Podujevë ka qenë një triler në veti, me të dyja skuadrat që diktuan lojën në njërën pjesë.
Pjesa e parë u karakterizua me lojë më të mirë të vendasve, të cilët përveç rasteve arriten te shënojnë edhe një gol.
Goli i vetëm në këtë pjesë erdhi në minutën 26-të me anë të Adem Maliqit, i cili kaloi Llapin në epërsi 1-0.
Në pjesën e dytë, mitrovicasit ishin skuadër më e mirë dhe më konkrete duke shënuar dy gola, por në fund pranuan një dhe ndeshja u mbyll me barazim.
Goli i parë në pjesën e dytë erdhi me anë të Albion Pllanës (75′), i cili barazoi shifrat në 1-1, ndërsa golin e dytë përsëri e shënoi njëjti lojtar, ku në minutën e 82-të shënoi për të kaluar 89-shin në epërsi 1-2.
Kur pritej që ndeshja të mbyllej me fitoren e “Minatorëve”, mbrojtësi Fatmir Rexhaj (89’) ishte i pafat duke shënuar autogol dhe duke vulosur rezultat përfundimtar 2-2.
Në ndeshjen e ardhshme, Llapi udhëton te Dukagjini, ndërsa Trepça ’89 e pret Ballkanin. /Telegrafi/