Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka treguar për punën e tij si udhëheqës i komunës, sfidat që i ka kaluar, sfidat që e presin dhe raporti me Qeverinë.
“Përkrahja nga Qeveria është në shpërputhje me nevojat e qytetarëve. Për mungesë të përkrahjes, për shembull, rruga e filluar me katër korsi (Gllobar-Komoran), nëse vazhdon me këtë intensitet të investimeve nga niveli qendror, do të duhen edhe nëntë vjet për finalizimin e kësaj rruge me gjatësi rreth 9.200 metra. Presim më shumë në vitin 2023, edhe pse shumë të pakënaqur me investimet gjatë vitit 2022”.
Në mënyrë kaq pesimiste e ka cilësuar punën e Qeverisë në raport më investimet në Komunën e Drenasit, kryetari i kësaj komune, Ramzi Lladrovci, në një intervistë për Dukagjinin.
Por Lladrovci, në mesin e kritikave dhe zhgënjimeve me Qeverinë, ka theksuar përkrahjen e vetme nga Qeveria, e që është shpërndarja e buxhetit, sipas numrit të banorëve.
“Përkrahja është e përqendruar në shpërndarjen e rregullt buxhetore, sipas numrit të banorëve, por, ngecjet janë në shumë fusha…”, ka thënë Lladrovci, duke i listuar problemet që ka komuna e tij nga neglizhimi i Qeverisë.
“Problemin kryesor e kemi me finalizimin e projekteve të filluara, të cilat kërkojnë vite e vite për finalizim, si për ujin e pijes, ndërtimi i rrugës me katër korsi Gllobar-Komoran, rruga Gradicë-Zhilivodë, ndërtimi i rrugës së re Kroni i mbretit – Liqeni i Vasilevës, “Ujëmbledhësit në fshatin Vërboc”, Projekti “Ndërtimi i impianti për trajtimin e ujërave të zeza”, “Pishina Gjysmë Olimpike”, “Ndërtimi i Rrugës Bregut të Qyqavicës”, “Asfaltimi i rrugës Llapushnik-Berishë”, “Ndërtimi i urës në rrugën tranzit Kroi i Mbreti – Drenas – Skenderaj”, janë projektet me prioritet”.
Ndërsa, ai ka treguar për pikat e tij të forta në raport me qeverisjen e Drenasit, dhe ngecjet e tij gjatë vitit 2022. E ku për këto ngecje, Lladrovci prapë varë fajin tek Qeveria.
“Parimet e mia të forta janë Qeverisja e mirë, me transparencë e llogaridhënie, zbatimi i ligjit, barazia para ligjit. Për punën tonë, kemi marrë çmimin për “Qeverisje të shkëlqyer” nga Asociacioni Evropian për Demokraci Lokale, presim vlerësim po ashtu me performances e shkëlqyer, në garën për Grantin e performances në nivel nacional. Ndërsa për ngecjet, mund të them se janë ato të cilat qytetarët i shohin që varen nga niveli qendror, qoftë në financim, qoftë në finalizim të projekteve të filluara.”
E sa i përket, edhe një kandidimi të tretë për kryetar komune, Lladrovci thekson se fati i tij edhe për një mandat, varet nga puna e tij, nga qytetarët dhe interesat e tyre.
“Kjo varet nga zhvillimet për punët kapitale të filluara tashmë por edhe nga faktorët tjerë. Qeverisja lokale e kërkon kryetarin me angazhim të plotë, me energji të shtuara, të ndjeshëm ndaj kërkesave të qytetarëve dhe me vizion për të çuar përpara çështjet jetike për qytetarët. Gjithsesi, varet nga rrethanat, qytetari dhe interesi i tyre është në vend të parë, kemi dëshmuar si kabinet se e bëjmë ndryshimin për të mirë për të gjithë qytetarët pa dallim, mbetet të shihet” u shpreh Lladrovci./RTVD/