Liverpooli po bën gati një ofertë rekorde për transferimin e një ish-lojtari të Ligës Premier, sipas raportimeve të fundit.
Arne Slot ka bërë mrekulli tek Liverpooli që prej se erdhi në ‘Anfield’ duke zëvendësuar Jurgen Klopp në stol.
Ekpi i tij po shkon me hapa të sigurt drejt titullit kampion në Angli, teksa ai mund të sigurojë trofeun e parë kur ‘Të Kuqtë’ do të përballen me Newcastle United të dielën në finale të Carabao Cup.
Tekniku holandez ka bërë gjithë këtë punë pa shpenzuar shumë para në afatin kalimtar, pasi ai ka transferuar vetëm Federico Chiesan, i cili kushtoi 12.5 milionë euro nga Juventusi verën e kaluar.
Por Liverpool mund të detyrohet të ndërhyjë në verë në rast se Mohamed Salah largohet nga klubi në fund të sezonit.
Sipas një raportimi nga gazetari Sam Maguire, Liverpool po monitoron situatën e Julian Alvarez dhe do të duhej një ofertë rreth 100 milionë euro për transferimin e tij.
Alvarez ishte në listën e dëshirave të klubit edhe verën e kaluar, por ata nuk arritën të gjejnë një marrëveshje.
Siç shton tutje raporti, Gonzalo Siegrist, një skaut i Liverpoolit, ka shtyrë për transferimin e Alvarez që prej kohës kur argjentinasi ishte pjesë e River Plate.
25-vjeçari iu bashkua Atletico Madridit nga Manchester City në një transferim të vlefshëm prej 81.8 milionë eurosh verën e kaluar.
Para se ai të siguronte lëvizjen në Spanjë, Liverpooli kishte mbajtur bisedime me Manchester Cityn, por dy palët nuk ia dolën të gjejnë gjuhën e përbashkët./Telegrafi/