Site icon Telegrafi

Lista Serbe dorëzon mandatet e deputetëve në Kuvendin e Kosovës

Pas vendimit për largim nga institucionet e Kosovës, deputetët e Listës Serbe të hënën i kanë dorëzuar edhe mandatet e tyre në Kuvendin e Kosovës.

Këtë për Telegrafin e ka konfirmuar shefi i kabinetit të kryetarit të Kuvendit, Glauk Konjufca, Ilir Kërçeli.

Kërçeli ka thënë se dorëzimin e ka pranuar zyrtarisht nga administrata.

Dorëzimin e mandateve të deputetëve të Listës Serbe e ka konfirmuar edhe Kuvendi i Kosovës përmes një njoftimi për media.

“Njoftojmë se 10 deputetë të Kuvendit të Republikës së Kosovës nga subjekti politik parlamentar Lista serbe, kanë dorëzuar dorëheqje të parevokueshme”, thuhej në njoftim.

Dorëheqjet sot i kanë dorëzuar edhe gjyqatarët dhe prokurorët në veri. Kryetarja e Gjykatës Themelore, Lilana Stevanoviq, tha se “kolegët shqiptarët kanë marrë përsipër lëndët që janë të natyrës urgjente”.

“Ne u përpoqëm t’iu ndihmonim, ne dhe kolegët tanë kurrë nuk kemi pasur probleme, e kemi bërë punën tonë në mënyrë profesionale, jemi socializuar, kemi bashkëpunuar”, tha ajo.

Stevanoviq shtoi se rreth 150 serbë janë larguar nga gjykata.

Të shtunën më 5 nëntor, Lista Serbe ka njoftuar për largimin e serbëve nga institucionet e Kosovës.

Paralajmërimet e Listës Serbe për largim nga institucionet e Kosovës kanë ardhur pas vendimit të autoriteteve të Kosovës për suspendimin e drejtorit të Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Nenad Gjuriq, i cili ka refuzuar që të zbatojë vendimin e Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e makinave që kanë targa të lëshuara nga Serbia në RKS – Republika e Kosovës.

Ndërkaq të dielën më 6 nëntor, kanë dhënë dorëheqje edhe kryetarët e katër komunave veriore. /Telegrafi/

Exit mobile version