Telegrafi

Lista Serbe bën thirrje që të bojkotohen zgjedhjet në veri

Lista Serbe, partia e cila i ka bojkotuar zgjedhjet lokale të 23 prillit, u ka bërë thirrje serbëve në veri të Kosovës që ta bëjnë të njëjtën gjë.

Me thirrjen që vendvotimet të jenë të zbrazura, kjo parti ka thënë se do t’i japë mesazh Prishtinës dhe komunitetit ndërkombëtar.

Lexo po ashtu Zgjedhjet në veri – këta janë 11 kandidatët që janë në garë

Në deklaratën e tyre thuhet se kjo parti i bën thirrje “të gjithë popullit serb që të qëndrojë i qetë të dielën dhe të mos bjerë në provokimet e regjimit të [kryeministrit të Kosovës] Albin Kurti”, qëllim i vetëm i të cilit, siç tha, është “dëbimi i serbëve nga veriu”.

“Serbët duhet t’i shikojnë me përbuzje të gjithë ata që planifikojnë të dalin dhe të marrin pjesë në këtë proces të paligjshëm zgjedhor, që është kundër interesave të popullit serb”, thuhet në deklaratë.

Tutje, thuhet se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, “dëshiron t’i pushtojë komunat e veriut të Kosovës përmes kryetarëve pushtues”.

Të dielën e 23 prillit, qytetarët e katër komunave në veri do t’u drejtohen kutive të votimit për të zgjedhur kryetarët e ardhshëm që do të qeverisin me Mitrovicën e veriut, Zveçanin, Zubin Potokun dhe Leposaviqin.

Përveç votimit për kryetar, në komunën e Zveçanit dhe Leposaviqit do të votohet edhe për zgjedhjen e dy kuvendeve komunale./Telegrafi/