Liria e Prizrenit pritet të dënohet nga Komisioni Disiplinor i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK) për ngjarjet që ndodhën në ndeshjen ndaj Vëllaznimit.
Prizrenasit ia dolën ta fitojnë derbin e Ligës së Parë që u zhvillua në vikend me rezultat 1-0, megjithatë, pas përfundimit të ndeshjes pati përleshje në fushë, ku u përfshinë edhe tifozët.
Për këtë arsye Komisioni i Garave ka hapur procedura disiplinore ndaj klubit prizrenas për lëshim në organizim të ndeshjes.
“Pas shënimit të golit të vendasve në minutën e 47-të, tifozët vendas hedhin fishekzjarrë në fushë duke ndërprerë ndeshjen për disa minuta”.
“Pas përfundimit të ndeshjes disa tifozë të FC Liria kalojnë rrethojat dhe hyjnë në fushë për të festuar fitoren, mirëpo disa prej tyre sulmojnë lojtarët dhe stafin teknik të mysafirëve”.
“Si pasojë dy lojtarë të KF Vëllaznimi kanë pësuar lëndime. Vlen të përmendet se tifozët vendas prej fushës gjuajnë me mjete të forta tifozët mysafirë të cilët ishin në tribuna”, thuhej në vendimin e Komisionit të Garave.
Megjithatë, kjo nuk ishte ndeshja e vetme e cila bëri që të iniciohen procedura disiplinore pasi pati edhe disa duele tjera që u përcollën me probleme në Superligën e Kosovës./Telegrafi/