Funari, një prej perlave natyrore të Elbasanit, vit pas viti po vizitohet nga turistë të shumtë.
Rreth 20 kilometra larg qytetit të Elbasanit, Funari është fshati që ndrin buzë liqenesh i rrethuar me pyje dhe gjelbërim. Ajo që e bën akoma më tërheqës është ngjyra e gjelbër e ujit të liqeneve, e cila krijon një vezullim prej smeraldi.
Është një zonë e pasur me pyje dhe me katër liqene, apo rezervuarë të ndarë në dy brenda fshatit dhe dy të tjerë të fshehur pas maleve që e rrethojnë atë.
I pasur me pyje pishash dhe dushku, Funari ofron një klimë të shëndetshme që, nëse i shtojmë edhe gatimet tradicionale të zonës, bëhet vendi ideal për të kaluar fundjavën.
Por jo vetëm kaq, kjo zonë mund të jetë një destinacion edhe për të pasionuarit pas peshkimit. /Telegrafi/