Liderë dhe përfaqësues të subjekteve politike sot do të takohen për të diskutuar për dialogun Kosovë-Serbi.
Mësohet se kjo tryezë diskutimi me liderët e partive politike do të mbahet rreth orës 17:00 dhe organizohet nga Instituti “Grupi Ballkanik për Politika”, i cili kryesohet nga Naim Rashiti.
Në këtë tryezë pritet të diskutohet për hartimin e një platforme dhe arritjen e një konsensusi lidhur me dialogun me Serbinë.
Po ashtu pritet të diskutohet edhe rreth krijimit të ekipit negociator për dialogun me Serbinë.
Nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi në një prononcim për Telegrafin ka konfirmuar pjesëmarrjen e partisë së tij në këtë tryezë.
“Po, do të marrim pjesë në këtë tryezë”, ka thënë Krasniqi.
Edhe Shkodran Hoti nga Partia Socialdemokrate ka konfirmuar pjesëmarrjen në këtë tryezë.
Ndryshe, Telegrafi ka kontaktuar edhe përfaqësues të LDK-së, VV, por nuk janë përgjigjur në telefon. /Telegrafi/
Foto: Arkiv/Ilustrim