Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka publikuar në Instagram një fotografi të përbashkët të pjesëmarrësve të një forumi ekonomik dhe politik ndërkombëtar në Kinë, në të cilin ndër të tjera janë ai dhe presidenti rus Vladimir Putin.
Fotot tregojnë se presidenti rus Vladimir Putin qëndron në rreshtin e parë pranë mikpritësit, liderit kinez Xi Jinping, ndërsa Aleksandar Vuçiq është në rresht menjëherë pas tyre.
Duke e quajtur fotografinë “të dashur”, ai ka publikuar fotografinë bashkë me presidentin e Republikës së Kinës, Xi Jinping dhe personalitete të tjera, përcjell Telegrafi.
“Mikpritja kineze është e njohur gjerësisht dhe miqësitë personale janë një privilegj i veçantë. Prandaj shpresoj se së shpejti do të kemi sërish nderin ta presim mikun tonë të dashur presidentin Xi në Serbi”, thuhet në postimin e Vuçiqit në Instagram.
Presidenti serb, një fotografi të tillë e ka publikuar pikërisht në kohën kur liderë të tjerë të Ballkanit dhe të BE-së, janë takuar në Samitin e procesit të Berlinit në Tiranë.
Kryeqyteti shqiptar kishte bërë bashkë të gjithë liderët e vendeve të Ballkanit Perëndimor, të shteteve anëtare të Bashkimit Evropian dhe përfaqësuesit më të lartë të BE-së.
Procesi i Berlinit është një iniciativë që synon rritjen e bashkëpunimit rajonal në Ballkanin Perëndimor dhe dhënien e ndihmës për integrimin e vendeve të rajonit në Bashkimin Evropian.
Përpara ambienteve të Piramidës, liderët e vendeve pjesëmarrëse në këtë takim ndoqën fillimisht një performancë të valltarëve me motive folklorike dhe të komuniteteve minoritare mbi kulturën dhe traditën.
Në përfundim pjesëmarrësit në këtë samit bënë edhe foton familjare.
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama e cilësoi këtë ditë “një dite të mbushur me energjinë e mirë të njerëzve që ndajnë të njëjtën dhe të vetmen perspektivë, Evropën dhe vlerat e saj”. /Telegrafi/