Site icon Telegrafi

Liburn Aliu arrestimin e Sali Zybës e lidhё me pronat e të vëllait të Thaçit

Për arrestimin e Salih Zybës, inspektorit të Komunës së Prishtinës, drejtori për Urbanizëm në këtë komunë Liburn Aliu, po fajëson shtetin dhe presidentin në ardhje, Hashim Thaçin.

Aliu, siç transmeton KP, thotë se Zyba është ndër më meritorët për ndalim të ndërtimeve pa leje, dhe me punën e tij i ka caktuar edhe afatin për lirim të pronës siç thotë Aliu, të uzurpuar ndaj kompanisë së vëllait të Hashim Thaçit.

“E dimë që kanë urrejtje për Salihun, sepse me të uzurpimet dhe ndërtimet pa leje i takojnë të kaluarës, por duhet ta kenë të qartë se nuk mund ta ndalojnë as Salihun e as komunën me arrestime. Pronën e uzurpuar ata do ta lirojnë, sepse ajo është publike me apo pa arrestimin e Salih Zybes”, shkruan Liburn Aliu në rrjetin social Facebook.

Ndonëse Policia ende nuk ka njoftuar arsyet e arrestimit të inspektorit Salih Zyba, merret vesh se kjo ka ndodhur për shkak të përmbysjes së automjeteve të EULEX-it më 2009.

Exit mobile version