Nesër do të mbahet takimi i shumëpritur në Bruksel në mes të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, me ndërmjetësim të Bashkimit Evropian.
Lëvizja për Bashkim, në një komunikatë për media ka thënë se pa Kosovën Lindore në bisedime nuk ka fitore.
Sipas tyre, Qeveria e Kosovës nuk ka platofrmë politike dhe koncept të qartë në dialog.
“Edhe Qeveria e re e Kosovës, në bisedimet me Serbinë, po e vazhdon avazin e vjetër: Pa platformë politike, pa koncept të qartë për zgjidhjen e problemeve dhe me një papërgjegjësi të plotë karshi momentit historik për shtrimin e drejtë dhe zgjidhjen e çështjeve të mbetura të pazgjidhura ndërmjet Kosovës e Serbisë”, thuhet në komunikatë.
Tutje theksohet se derisa faktorët e përfshirë ndërkombëtarë dhe Serbia po ngulmojnë që fillimisht të implementohet asociacioni i komunave me shumicë serbe, vërehet qartazi se Qeveria e Kosovës po përpiqet që t’i prolongojë bisedimet dhe ta ruaj status quo-në.
Më tej thonë se në të dyja raste nga situata e sotme fituese do të dalë Serbia, e humbëse Kosova.
“Dhe kështu do të ndodhë deri sa Kosova të mos i shtrojë drejtë e me guxim çështjet e mbetura të pazgjidhura me Serbinë, përkatësisht deri sa ta përfshijë edhe Kosovën Lindore në bisedime, si çështje të pazgjidhur në raportet Kosovë-Serbi”.
“Reciprociteti në të drejta në paralelen Preshevë-Bujanoc-Medvegjë, në njërën anë, dhe Leposaviq-Zveçan-Zubun Potok, në anën tjetër, është çelësi i vetëm i daljes nga rrethi vicioz i bisedimeve të pafundme Kosovë-Serbi”, thuhet në fund./Telegrafi.