Poezi nga: Sylvia Plath
Përktheu: Natasha Lushaj
…Por horizontale pëlqej të jem.
Se nuk jam pemë rrënjëthellë dheut
të thith dashuri mëmësie si minerale
aq sa çdo mars të mund të ndriçoj prej gjethimi,
nuk jam as parcelë e hirshme lulesh
e superpikturuar
e aftë të shkaktoj klithma mrekullimi,
pa u kujtuar se së shpejti
petalet e mia
do të më duhet t’i hedh.
Ndryshe nga unë,
pema është e përjetshme
dhe është më e bujshme buzëza e më të voglës lule:
ndryshe nga e para: s’kam aq jetë,
as këmbënguljen e së dytës.
Sonte, në pafundësinë e dritëhënës,
shpërndajnë aroma të freskëta lulet dhe pemët.
Kaloj mes tyre, por jam e pavërejtur.
Ndonjëherë mendoj se kur fle, ndoshta,
me mendimet e mia bërë mjegull,
atyre u ngjaj në mënyrë të përsosur.
Sepse për mua
ndenjia shtrirë është më e natyrshme,
atëherë hapur flasim unë dhe qielli,
e di, do të jem e vlefshme
kur përgjithmonë të shtrihem:
pemët më në fund do të më prekin
dhe lulet për mua do të kenë kohë.