Site icon Telegrafi

Legjenda e Real Madridit telefonon Perezin dhe i vetëofrohet pas lëndimit të Militaos

Real Madridi po kalon në një situatë aspak të lehtë, kjo për shkak të lëndimeve të shumta në fazën e mbrojtjes.

Së fundmi, ata humbën shërbimet e Eder Militaos pasi reprezentuesi brazilian këputi ligamentin e gjurit në ndeshjen ndaj Osasunës.

Kjo do të thotë se Carlo Ancelotti ka vetëm një opsion në qendër të mbrojtjes momentalisht dhe ai është Antonio Rudiger.

Rikthimi i David Alabas duket se do të marrë ende kohë, teksa Tchouameni i cili shpeshherë aktivizohej në atë pozitë, ka mbetur gjithashtu jashtë fushave shkaku i lëndimit.

Lexo po ashtu Real Madridi e ka gjetur zgjidhjen pas lëndimit të Militaos – synohet transferimi i yllit anglez në janar

Sipas një raportimi të fundit nga Marca, ish-kapiteni i Real Madridit, Sergio Ramos, ka kontaktuar klubin në disa raste për t’i ofruar shërbimet e tij, por gjiganti madrilen ka qenë i vendosur në vendimin e tyre për të mos e përfshirë atë në planet e tyre.

Ramos momentalisht është pa klub dhe po vazhdon të stërvitet individualisht duke pritur për lëvizjen e tij të radhës.

Përkundër përpjekjeve të tij për të qëndruar në formë të lartë fizike, Real Madridi duket se nuk është i gatshëm të ribashkohet me mbrojtësin veteran.

38-vjeçari tani do të konsiderojë ofertat që ka në tavolinë, ndërsa kujtojmë se më herët ishte raportuar se për të interesim ka shprehur Boca Juniors./Telegrafi/

Exit mobile version