Futbollisti legjendar brazilian dhe ish-trajneri Carlos Dunga ka pësuar një aksident të tmerrshëm automobilistik, pas të cilit është shtruar me urgjencë në spital.
Vetura e 60-vjeçarit është përmbysur teksa po udhëtonte në autostradën nga Sao Paulo për në Campina Grande do Sul dhe bashkëshortja e tij Evanir Verri ndodhej në ulësen e pasagjerit në momentin e aksidentit.
Çifti, i cili po kthehej në shtëpi pasi vizitoi familjen, u dërgua me urgjencë në spital, por për mrekulli të dy pësuan vetëm lëndime të lehta dhe u liruan një ditë më vonë.
Djali i Dungës, Bruno, ka falënderuar mjekët dhe qytetarët për ndihmën e dhënë, ndërsa policia thotë se ish-mesfushori nuk ka qenë nën efektin e alkoolit në momentin e aksidentit.
Dunga ka statusin legjendar në Brazil, pasi ai ishte kapiten i vendit të tij në Kupën e Botës 1994, kur brazilianët u bënë kampionë të botës.
Përveç kësaj, ai ka qenë dy herë seleksionues i kombëtares. Së pari nga 2006 deri në 2010 para se të kthehej për dy vjet të tjera në 2014. /Telegrafi/