Kryetari i Degës së LDK-së në Gjilan, njëherësh nënkryetar i partisë në nivel qendror, Lutfi Haziri, në një konferencë për media ka kritikuar qeverisjen lokale të udhëhequr nga Lëvizja Vetëvendosje, duke e cilësuar si një mandat të dështuar për qytetarët.
Haziri deklaroi se LDK ka filluar analizën e procesit zgjedhor të 9 shkurtit, duke falënderuar strukturat e partisë për angazhimin e tyre. Ai njoftoi gjithashtu se më 4 mars do të shënohet 35-vjetori i themelimit të Degës së LDK-së në Gjilan, me një ceremoni në Përlepnicë.
Në vijim, Haziri theksoi se grupi i këshilltarëve të LDK-së në Kuvendin Komunal ka treguar konstruktivitet duke miratuar buxhetin për qytetarët, punëtorët shëndetësorë dhe arsimtarët, duke vepruar në interes të qytetit dhe jo në bazë të agjendave partiake.
“Në këto katër vite, kryetari i komunës Alban Hyseni e ka shndërruar Gjilanin në një ‘shitore të thyer’, duke e degraduar çdo sektor dhe duke dëshmuar për fat të keq që ky mandat ka qenë i humbur për qytetarët”, u shpreh Haziri.
Ai shtoi se LDK do të mbikëqyrë nga afër ekzekutivin për të siguruar që buxheti të zbatohet në tërësi dhe jo në mënyrë selektive./Telegrafi/