Site icon Telegrafi

LDK kundërshton diskutimin e Albin Kurtit me nxënësit e Prishtinës

Grupi i këshilltarëve komunalë të LDK-së nëpërmjet një komunikate për mediat edhe njëherë ka shprehuar pakënaqësi edhe njëherë me qeverisjen komunale të Prishtinës, të udhëhequr nga Shpend Ahmeti, duke kundërshtuar një diskutim që është organizuar me nxënësit e shkollave fillore dhe të mesme “Diskutim, nxënësit me Albin Kurtin”.

“Grup i LDK-së konsideron se kryetari i Prishtinës Shpend Ahmeti, po e lejon dhe po i krijon kushte poltizimit të shkollave në kundërshtim me premtimin e dhënë. Duke e parë me sytë e tij dështimin administrativ të realizimit të proejekteve buxhetore, kapitale dhe dështimin e tij politik në Prishtinë, tash e më shumë se dy vjet, po përpiqet që ta thellojë krizën si pasojë e dështimeve të tij deri aty sa kriza politike e VV të hyjë në shkolla fillore dhe të mesme të kryeqytetit”, thuhet në reagim.

Sipas LDK-së, ftesa politike e bërë sot, sipas mediave, “Diskutim, nxënësit me Albin Kurtin” – diskutim me nxënësit e shkollave të mesme në një shkollë fillore, siç shkruan në ftesë-për diskutim, dhe në shkollë fillore të ftohen nxënësit e shkollave të mesme, bie në përgjegjësi të drejtpërdrejtë të kryetarit të Prishtinës, Shpend Ahmeti.

“Duhet të jetë indinjuese për qytetarët e Prishtinës, që në këtë kohë kur duhet të bëhen përpjekje për shmangie nga çfarëdo ngjyrimi politik në shkolla, kreu i Komunës së Prishtinës, jo vetëm që ia ka hapur dyert politizimit, por ai po i hap dyert e shkollave fillore, në kundërshtim me çdo normë, për të mbajtur ligjërata politike para fëmijëve kundër shtetit të Kosovës. I ftojmë prindërit që të mos lejojnë të manipulohet me fëmijët e tyre”.

Nëpërmjet një komunikate, Grupi i LDK-së konsideron se është e papranueshme që shkollat e Prishtinës, me leje të Shpend Ahmetit, t’u shërbejnë zyrave politike të Vetëvendosjes, “zyrave në të cilat u gjenden maska krimi, molotov, gaz lotsjellës, helmeta e bajoneta, për rrëzimin e shtetit”.

“Është e papranueshme që dhuna që po e shkakton VV në rrugët e kryeqytetit të bartet në shkolla me ligjërata politike për “shpëlarje truri”, që dhuna të kthehet prapë në sheshet e Prishtinës. Grupi I LDK-së konsideron se nuk duhet dhe nuk mund të ç’vendoset fryma e dhunës nga zyrat politike me komensarët e tyre politik në shkollat e Prishtinës për indoktrinim me ligjërata për “REVOLUCIONN” e VV në Republikën e Kosovës”.

Në fund, Grupi i LDK-së i thërret organet komunale përkatëse që të mos lejojnë të mbahen takime politike në shkolla, nga ku thirret, bëhet ftesë, për protesta të dhunshme në kryeqytetin e Republikës së Kosovës.

Exit mobile version