Pas problemeve të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD) me postën diplomatike, ka reaguar Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK).
LDK e cilësoi këtë ngjarje si pasojë të paaftësisë dhe keqmenaxhimit të pushtetit aktual, duke theksuar se përveç dështimit në proceset diplomatike, qeveria nuk arrin të menaxhojë as postën diplomatike.
“Pushteti aktual po tregon paaftësi të thellë dhe dështime të njëpasnjëshme. Përveçse nuk i ka sjellë Kosovës asnjë njohje të re apo anëtarësim ndërkombëtar, nuk arrin të menaxhojë asnjë proces kaq të thjeshtë siç është posta diplomatike”.
Sipas LDK-së, qytetarët po paguajnë taksa të larta për dërgesat diplomatike, që, sipas tyre, kushtojnë gjashtë herë mbi çmimin e tregut.
“Me taksat e qytetarëve, MPJD paguan çmime të larta për dërgesat diplomatike, gjashtë herë mbi çmimin e tregut, por përsëri dështon, ashtu si në çdo proces tjetër. Kjo Ministri e cila i ka lënë fajin operatorit ekonomik për këtë skandal, ka për obligim që të sqarohet për këtë”.
Pavarësisht kësaj, sipas LDK-së MPJD nuk ka arritur të përmbushë detyrimet ndaj qytetarëve, duke ia lënë përgjegjësinë operatorit ekonomik.
LDK kërkon transparencë dhe llogaridhënie nga MPJD, duke theksuar se qytetarët meritojnë një qeveri që vë në krye nevojat e tyre.
LDK ka premtuar se do të angazhohet për të adresuar dështimet e qeverisë aktuale dhe për t’u ofruar qytetarëve shërbime të besueshme dhe transparente./Telegrafi/