Site icon Telegrafi

LDK-ja dorëzon kallëzimin penal ndaj ambasadorit Martin Berishaj

Deputetët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Driton Selmanaj dhe Besian Mustafa, kanë dorëzuar këtë të premte në Zyrat e Prokurorisë Speciale, kallëzimin penal ndaj ambasadorit të Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj.

Kjo pasi ata pretendojnë se ky i fundit është deklaruar rrejshëm gjatë raportimit në Komisionin Hetimor Parlamentar të Kuvendit të Kosovës, në nëntor të vitit të kaluar, transmeton Telegrafi.

Lexo po ashtu Selmanaj paralajmëron kallëzim penal ndaj Berishajt: Na ka gënjyer gjatë raportimit në Kuvend

Deputeti i LDK-së, Driton Selmanaj, njëherësh kryetar i Komisionit Hetimor Parlamentar lidhur me menaxhimin e krizës energjetike nga ana e Qeverisë së Kosovës, ka thënë se Berishaj ka qenë i informuar për pasojat ligjore që mund t’i ketë një person nëse jep deklaratë të rreme.

“Dorëzuam në Prokurorinë Speciale të Kosovës një kallëzim penal rreth dëshmisë jo të saktë dhe jo të vërtetë që ambasadori Martin Berishaj ka bërë para këtij komisioni me datën 17 nëntor kur është intervistuar në Komisionin Hetimor. Me qëllim që të mbrojmë dinjitetin e Kuvendit të Kosovës, të mbrojmë dinjitetin e kësaj Republike, ne nuk mund të tolerojmë situata ku vjen një ambasador dhe gënjen para Komisionit”, është shprehur Selmanaj para mediave.

Tutje, ai ka thënë se në prokurori kanë ofruar gjithë dokumentacionin e nevojshëm që kanë pasur në dispozicion dhe se presin që tani të zbardhet e vërteta. /Telegrafi/

Exit mobile version