Shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi tha se partia në pushtet e ka shkatërruar besimin ndaj RTK-së. Për këtë arsye, Gashi shtoi se kanë marrë vendim që të mos marrin pjesë në programacionin e transmetuesit publik.
Në seancë plenare ku po diskutohet për shkarkimin e anëtarëve të bordit të RTK-së, ai theksoi se transmetuesi publik do të duhej të mbronte dhe përfaqësonte interesin e qytetarëve.
“Radio Televizioni i Kosovës dështoi që të ofronte shërbimin e vet si institucion publik, dhënien e lajmit dhe programacionit në interes publik. Si rezultat i këtij dështimi, politizimi dhe kapje nga LVV dhe personi kontrollues që kontrollohet nga Lëvizja Vetëvendosje, Lidhja Demokratike e Kosovës mori vendim dhe refuzoi çdo pjesëmarrje në debate dhe emisione të RTK-së në institucion publik.
Duke pasur parasysh se ky institucion është institucion publik dhe ka për qëllim mbrojtjen e interesit publik, pra është pronë e qytetarëve të Kosovës do të duhej të mbronte dhe përfaqësonte interesin e qytetarëve të Kosovës. Kur si rezultat i ndërhyrjes së LVV-së, kapjes së bordit, kapjes së politikës redaktuese dhe dhënies së lajmeve të pavërteta u dëmtua interesi publik, u politizua institucioni, u shkatërrua besimi, ne refuzuam të jemi pjesë e kësaj ndërmarrje”, deklaroi Gashi.
Kurse deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Pal Lekaj tha se që katër vjet “nuk është Radiotelevizioni i Kosovës, por Radio Televizioni i Kurtit.
Ai theksoi se duhet të shkarkohet bordi i RTK-së dhe se sipas tij, asnjëherë transmetuesi publik nuk ka qenë më i kontrolluar.
“Kurrë RTK-ja nuk ka qenë më e dobët. Po ju rikujtojmë që kurrë RTK-ja nuk ka qenë më e kontrolluar nga politika dhe Lëvizja Vetëvendosje. Po ju rikujtojmë që kurrë raportet e auditimit se kanë nxjerr më keq RTK-në se në qeverinë Kurti. Po ju rikujtojmë që kurrë punëtorët e RTK-së s’kanë qenë më të nëpërkëmbur e pa të drejtat e tyre.
Po ju rikujtojmë që kurrë gratë punëtore të RTK-së s’kanë pasur më shumë presion, gjuhë kërcënuese dhe seksiste. Po ju rikujtojmë që RTK-ja nuk po punon me program të vet por me program të Lëvizjes Vetëvendosje… Po ju rikujtojmë që RTK është televizioni i propagandës së Lëvizjes Vetëvendosje dhe nuk është i qytetarëve të Kosovës. Po ju rikujtojmë që katër vjet nuk është Radioteleviozioni i Kosovës por është Radiotelevizioni i Kurtit ”, tha Lekaj. /KP/