Site icon Telegrafi

Lavrov: Perëndimi po e kthen Maqedoninë në “mjet” në lojën antiruse

Perëndimi po përpiqet t’i kthejë Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut në “mjet” në lojën anti-ruse, tha ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov në një intervistë të publikuar në ueb faqen e MPJ-së ruse, njofton “TASS”.

“Ju mund të shihni ndryshimin midis asaj që malazezët dhe maqedonasit ndiejnë për Rusinë dhe asaj që politikanët e tyre janë të detyruar të bëjnë nga Brukseli, BE-ja dhe NATO-ja. Kjo është një përpjekje për t’i kthyer ato në një “mjet” në lojën antiruse”, theksoi Lavrov, përcjell Telegrafi Maqedoni.

“Vendi u bë Maqedonia e Veriut për të hyrë në BE (ku nuk u pranua dhe nuk do të pranohet së shpejti). Në vend të kësaj, ata i tërhoqën zvarrë në NATO, filluan të ngrohin ndjenjat rusofobike, politikën agresive ndaj Federatës Ruse. Të njëjtën gjë bënë edhe me Malin e Zi: u premtuan të anëtarësohen në BE, por thanë se duhet të anëtarësohen në NATO, t’i bashkohen sanksioneve dhe të marrin një qëndrim që është hapur anti-rus. Është e trishtueshme”, tha Lavrov.

Ai gjithashtu shtoi se ka vizituar Shkupin dhe Ohrin, ku thekson se, ka parë se si njerëzit në Maqedoni e trajtojnë historinë dhe fenë tonë të përbashkët.

Lavrov e vlerëson si pozitivisht vendimin e Këshillit të Ipeshkvijve për Kishën Ortodokse Serbe për njohjen e autoqefalisë së Kishës Ortodokse Maqedonase (KOM).

“Këtë e vlerësoj si pozitive. Kjo do t’i lejojë Kishës Ortodokse Serbe dhe Patriarkut Porfiry një mirëkuptim të arsyeshëm”, thotë Lavrov.

Sipas Lavrvov, “kjo është një përgjigje e denjë për intrigat e Patriarkut të Stambollit”.

“Ai u përpoq të varroste përgjithmonë çdo marrëdhënie midis kishave të tjera ortodokse, kryesisht serbe dhe maqedonase. Ky plan provokues është shkatërruar”, shtoi Lavrov./Telegrafi/

Exit mobile version