Site icon Telegrafi

Lautaro Martinez paralajmëron largimin nga Interi: Nuk e di çfarë do të ndodhë nesër

Lautaro Martinez këmbëngul se ai është i lumtur te Interi, por ai nuk e di çfarë do të ndodhë nesër dhe shpjegon pse ai grushtoi në vazhdimësi bankën rezervë, pasi Antonio Conte e zëvendësoi atë në pjesën e dytë të takimit Genoa – Inter në fundjavën që shkoi.

“Unë punoj çdo ditë për t’u përmirësuar. Sot unë jam një lojtar i Interit dhe dua të bëj më të mirën për ekipin”, ka thënë Lautaro në një konferencë për media para ndeshjes së Nerazzurrëve në Ligën e Kampionëve kundër Shakhtar Donetskut.

“Jam i lumtur, ne punojmë çdo ditë, duam të fitojmë dhe ta sjellim Interin sa më lart. Nuk e di se çfarë do të ndodhë nesër, sot mund të them se jam në Inter dhe se jam i lumtur”.

23-vjeçari ishte i lidhur me një transferim te Barcelona në këtë verë, por Blaugranasit nuk arritën një marrëveshje me Nerazzurrët. Tani, ka bisedime për një rinovim të mundshme të kontratës së argjentinasit me gjigandët e Serie A.

“Falënderoj tifozët për të gjithë përkrahjen e tyre, e njëjta gjë vlen për të gjithë njerëzit që punojnë për klubin dhe që kanë qenë gjithmonë pranë meje”.

Lautaro nuk mund ta fshihte zhgënjimin e tij kur Antonio Conte e largoi atë në pjesën e dytë të fitores së Interit ndaj Genoas të shtunën.

“Unë isha i zemëruar me veten time sepse nuk luajta lojën që doja, më doli në moment, por sot jam i lumtur dhe i gatshëm për nesër”, ka shtuar më tej sulmuesi që është shënjestra kryesore e Barcelonës. /Telegrafi/

Exit mobile version