Site icon Telegrafi

Lahuta dhe mitologjia iliro-arbërore

Eposi shqiptar i veriut, i njohur si Cikli i Kreshnikëve, së bashku me lahutën, janë dy trashëgimi antike që jetojnë në simbiozë me njëra-tjetrën. Për studiuesin dhe koleksionistin Jaho Brahaj, këto instrumente janë dëshmi e lashtësisë së eposit shqiptar, ku evidentohen qartë figurat mitologjike me origjinë ilire, por edhe më të hershme në periudhat e matriarkatit. Ai dhe shumë studiues të tjerë, besojnë se heronjtë e eposit shqiptar, bijtë e Ajkunës, janë prijës legjendarë më shumë të ngjashëm me “Iliadën” e Homerit, e më pak të ngjashëm me eposet e njohura të Ballkanit. Brahaj lëshon alarmin për mbrojtjen e kësaj trashëgimie të rrallë, për të cilën vetë rapsodët besojnë se nuk është gjë tjetër, veçse muza që u vjen nga Zoti.

Z.Brahaj, ju kam parë përherë të pasionuar pas lahutës, ku në koleksionin tuaj keni disa nga lahutat më interesante dhe me detaje shumë të spikatura që tregojnë autencitetin. Si ka nisur koleksionimi i lahutave nga ju?

Koleksionimi im ka nisur krejtësisht rastësisht, kur dëgjova që në Krujë kishte ardhur një rus, që banonte në Kroaci, dhe po blinte lahuta për të bërë një ekspozitë muzeale në Kroaci, por atje ai do t’i vendoste si lahuta kroate. Pasioni për t’i mbledhur, nuk qëndron vetëm tek instrumenti i lahutave, por edhe tek fakti që unë jam nga veriu dhe unë e kam ndjerë kur kam qenë fëmijë. Kam parë instrumentistë që gjithmonë këndonin eposin dhe natyrisht i binin lahutës. Lahuta është një nga elementët më thelbësorë të trashëgimisë kulturore. Si instrument i përket kulturës materiale, dhe si mënyrë të kënduari, përmbajtja e teksteve të eposit apo figurat mitologjike, kultike etj, i përkasin kulturës shpirtërore, ku përfshihen më tej mënyra e të rënit të lahutës, mënyra si bashkoheshin shqiptarët e Veriut për të kënduar me të, e bëhet fjalë për ata të Kosovës, një pjesë të shqiptarëve të Kroacisë apo shqiptarëve të Malit të Zi.

Këngët e lahutës kishin një lidhje ceremoniale me ta, sidomos pas darkave në netët e dimrit. Pra, se cili është ky epos i këtyre shqiptarëve si populli më i vjetër, ishte një dije e të gjithë albanologëve, sidomos atyre austriako-hungarezë. Po interesi nisi edhe nga albanologët shqiptarë.

Në 1905-n, Shtjefën Gjeçovi u jep një udhëzim kolegëve të tij priftërinjve françeskanë dhe u thotë: “Patjetër të mblidhet edhe Eposi i Kreshnikëve. Me një farë droje, studiuesit tanë, por kryesisht françeskanët e Shkodrës kryesisht përnjëherë nisën t’i mblidhnin. Dhe tek “Ylli Dritës” u botuan këngët e plota të para të Eposit në vitet 1920. Përnjëherë qarqet albanologjike të Evropës shfaqën një interes të madh, por edhe studiuesit u çuditën me këto perla që nuk i kishin njohur dhe shfaqën shumë interes, ndërkohë që dhe kështu u bënë botimet klasike, siç është botimi klasik i parë “Visaret e Kombit”, vëllimi i dytë që u bë më 1937. Edhe sot pas shumë e shumë vitesh ai është botimi më i mirë i “Ciklit të Kreshnikëve” ose siç e quajmë ndryshe të Eposit Shqiptar.

Le të qëndrojmë tek përpjekjet e të parëve tanë për të mbledhur Eposin dhe për të vlerësuar lahutën…

Para vitit 1944 është bërë një punë jashtëzakonisht e mirë në mbledhjen e Ciklit të Kreshnikëve, falë vullnetit dhe përkushtimit kryesisht të françeskanëve shqiptarë, por edhe të autorëve të tjerë që kanë mbledhur vargje nga Cikli i Kreshnikëve. Këta kishin edhe një favorizim të kohës, sepse atëherë Cikli i Kreshnikëve ishte shumë masiv dhe kudo që të shkoje në fshatrat e Veriut, në Pukë, në Iballe, në Shosh, në Malësinë e Madhe, në luginën e Malësisë së Gjakovës, e më gjerë, atëkohë gjeje lahutarë, por mungesa teknike bënte që të ishte shumë i vështirë studimi, ndaj sot fatkeqësisht kemi shumë pak fotografi, nuk kemi shumë filmime, shumë incizime. Nga Cikli i Kreshnikëve kanë mbledhur vargje edhe të huajt si etnomuzikologë e studiues të mirëfilltë të ardhur nga Shtetet e Bashkuar të Amerikës. Pas viteve 1945, prapë është bërë një punë jashtëzakonisht e madhe. Janë mbledhur vëllime të tëra të lidhura dhe janë botuar me Ciklin e Kreshnikëve.

Ndërsa, instrumenti lahutë pothuajse është pak a shumë në fazat fillestare që po studiohet këto vitet e fundit, sepse instrumenti i lahutës më shumë shihej nga ndonjë muzikolog për timbrin që jepte, apo a ka vijë melodike, shihej më shumë për probleme melodike muzikore sesa për përbërjen e instrumentit. Megjithëse disa herë studiuesit e huaj e kanë tërhequr vëmendjen se instrumenti i lahutës shqiptare është një tregues i vlefshëm për shumë aspekte të kulturës dhe trashëgimisë shqiptare, si e kanë lidhjen me mitologjinë shqiptare, si e kanë lidhjen me kultin. Vetë instrumenti i lahutës është kult për malësorin shqiptar. Ndërkohë, gjatësia e lahutës është studiuar sepse edhe ajo ka rëndësi po të krahasohet me instrumentet që kanë popullsitë e tjera të Ballkanit. Por përgjithësisht është rendur pas tematikës së fjalëve të Eposit, sepse pati disa hedhje tezash të sllavëve, shumë të diskutuara, se “Cikli i Kreshnikëve i shqiptarëve është marrë nga Eposi i sllavëve.”

Ndaj interesimi për lahutën si instrument me të gjitha elementëve të saj kultikë, mitologjikë, të trashëguara edhe në elementë të tjerë të kulturës popullore, të gdhendjeve në dru, do të japë rezultate jashtëzakonisht të mëdha edhe për ta treguar atë në rrafshin kombëtar si pjesë të kulturës sonë.

Dhe ju më treguat se një kroat kërkon dhe po blen në Krujë lahutën, instrumentin tonë të trashëgimisë dhe e ekspozon më pas në Kroaci si lahutë kroate…! Si të duket kjo dhe çfarë qëndrimi keni mbajtur ju konkretisht ndaj këtij fenomeni?

Në fakt ai është një rus që banon në Kroaci. Ai ka blerë dhe një pronë shumë të madhe atje, diku afër Zagrebit. Kështu ai ka gjetur që në Shqipëri shiteshin instrumente me një çmim shumë të arsyeshëm për atë atje, dhe miqtë e mi më informuan se ai çfarë gjen lahuta në Krujë vjen i blen dhe i merr me vete. Madje ai ka lënë edhe porosi, që sapo të vinin instrumente të vjetër të lahutës të paguheshin dhe kur të vinte ai pas dy muaj apo pesë muajsh apo gjashtë muajsh, t’i merrte.

A nuk është kjo humbje për trashëgiminë tonë kulturore?

Unë përmenda një rast, që një shekull përpara është botuar Eposi i dikujt tjetër këtu në Ballkan dhe Eposi ynë jo. Ne shqiptarët duhet të ndërgjegjësohemi që të ketë një vëmendje karshi këtij instrumenti, ashtu siç duhet të kemi vëmendje për gjithë kulturën tonë si trashëgimi kulturore materiale dhe shpirtërore. Ndaj unë, meqenëse nuk kishte një vëmendje institucionale, me gjithë ato mundësi financiare që kisha nisa të grumbulloj të gjitha ato lahuta që më binin në dorë. Këtë punë e kam bërë si unë ashtu siç është edhe koleksionisti tjetër Ermal Sela, që ka disa instrumente që janë me vlerë të jashtëzakonshme për trashëgiminë tonë, për skulpturën, për motivet shqiptare, për kultin, etj.

Kuptohet për një intelektual shqiptar që ka një rrogë modeste është një sakrificë të blesh e të mbledhësh këto instrumente. Për hir të cilëve elementë të trashëgimisë, të gdhendura në to, keni sakrifikuar ju?

Për një koleksionist nuk ka rëndësi sa lahuta ke, por rëndësi kanë ato që kanë elementë me vlera. Për shembull, mua më ka ngelur merak një lahutë që e ka njëri në një lokal. Ai e ka hedhur diku atje midis tymit. Është një lahutë që nuk e kam hasur diku tjetër qoftë në literaturë qoftë edhe në foto ose nëpër shkrime. Është me gjarprin, por me figuracion human, njerëzor dhe gjarpri është në mitologjinë e kreshnikëve si gjapëri hyjni që shëron plagët e Mujës. Është shumë e habitshme edhë që në një ekzemplar tjetër gjendet edhe portreti i orës, dhe unë e kam bërë përshkrimin e saj sepse William Perry që ka eksploruar trojet shqiptare dhe ka hulumtuar orën tek një lahutë e ka quajtur si një trashëgimi që shfaqet tek shqiptarët për herë të parë. Dhe e ka quajtur Ora e Shqiptarëve, duke e studiuar si një kontur kulturor që është marrë nga shqiptarët prej arbrit e tek arbrit është trashëguar si një figurë e mitologjisë ilire.

Pra ju po ju tërheq vjetërsia, autenticiteti i motiveve që gjenden në lahutë?

Mua më tërheq ajo që është autoktone, e trashëguar tek instrumenti i lahutës, sepse instrumenti lahutës është punuar nga vetë instrumentistët kryesisht. Ose, nëse atyre nuk u vinte ndoresh, ua bënin të tjerët, të afërmit apo nga fshatrat rrotull. Për shembull ka fshatra në Pukë që në dhjetë shtëpi, nëntë kishin lahutë. Nuk mund ta përfytyroje që familjet që kishin një farë stabiliteti të mos kishin lahutë. Për shembull, kjo traditë vijoi deri në fund të shekullit të 19-të deri e madje në fillim të shekullit të 20-të. Por ka pasur në këto lahuta të veçanta falë mjeshtërisë, vepra skulpturore arkaike që shprehin jashtëzakonisht shumë, për të na thënë se lahutat janë kult, janë mit. Plus kësaj janë dhe vlerat artistike, plus kësaj në shenjat e lahutës janë simbole piktografike që shpjegojnë mbarsin e shtëpisë, kryesisht kultin e Diellit.

Vura re se shpjeguat se në bishtin e lahutës, ose ne trupin e saj ka elemente kulti, por si e keni vërtetuar se instrumenti i lahutës apo vetë eposi është një kultë për vetë shqiptarët?

Që instrumenti i lahutës është kult për shqiptarët, kjo nuk diskutohej. Lahuta kur varej në mur. Nuk lejohej të varej as një lloj petku tjetër apo objekti tjetër krahas saj, as pushka nuk varej pranë. Lahuta ku plasaritej apo vjetërsohej, nuk digjej, nuk thyhej. Zakonisht ajo mbrohej ose duke u futur në ndonjë arkë, ose duke u futur në tavan dhe atje lihej që “të shkrihej” vetvetiu, nëse kishte ngelur qoftë edhe një trashëgimtar sado fëmijë i vogle, lahuta lihej të tretej aty, nuk futej në arkë. Në arkë futej kur kishte fatkeqësi që nuk kishte trashëgimtarë. Lahuta qëndronte në shenjtërinë e saj dhe këto janë të sanksionuar si kode të pashkruara dhe nuk kishin nevojë të shkruheshin se funksiononin në mënyrë natyrale.

Po ju vet sa lahuta keni në koleksion?

Rëndësi ka sa lahuta kam që kanë një vlerë përfaqësuese dhe një vlerë individuale brenda llojit të tyre, që tregojnë për trashëgiminë, sipas formave të vjetra. Unë kam rreth 14-15 nga këto, që i çmoj, pastaj kam edhe të tjera.

Sa daton lahuta më e vjetër në koleksioni n tuaj?

Më e vjetra, për fatin e mirë, që unë kam është lahuta me portretin e kreshnikut. Kreshniku është gjysmë hyjni, një hyjni i vdekshëm por edhe pas vdekjes vijon jetën nën tokë, duke qëndruar këmbëkryq si hyjni. Është një formë jashtëzakonisht e thjeshtë dhe impozante, që të ngjall individualitetin e një personi me autoritet. Kjo është një lahutë mbi 200-vjeçare, që duket nga patina që ka. Është e bërë nga drurët më të qëndrueshëm, dru lisi, dhe dihet që e lisi shkon mbi 300 vjet nëse mbahet pa lagështirë.

Me këto elementë që keni grumbulluar falë pasionit tuaj, sa keni ndihmuar ju për përgatitjen e Dosjes së Lahutës për në UNESCO?

Kam ndihmuar vetëm teknikisht, shumë pak. Kam bashkëpunuar vetëm për filmin, si një bashkëbisedues për këto filmime, kam bashkëpunuar derisa u realizua filmimi.

Mosfutja e Dosjes së Lahutës Shqiptare në UNESCO është nga një lloj keqkuptimi nga vetë anëtarët e UNESCO-s për vjetërsinë e saj apo për gabimet që janë bërë në prezantimin e lahutës dhe të eposit nga ne?

Ndoshta dhe prej neglizhencave ose moskujtutesës, sepse dosja kalon edhe nëpërmjet Ministrisë së Jashtme nga nëpunës shqiptarë. Nëpërmjet shtetit i paraqitet UNESCO-s. Por ajo nuk është paraqitur asnjëherë në UNESCO, domethënë, që ndoshta UNESCO as nuk e di se ne pakemi përgatitur një dosje. Se sa dosje mund të përgatisim dhe ne i kemi lënë sirtar nuk ka përgjegjësi UNESCO. Ndoshta Ministria e Kulturës ka të tjera probleme në drejtim të Eposit dhe të fushës së trashëgimisë kulturore. Por kur u përgatit dosja çfarë aktiviteti bëri MK për lahutarët. Ccfarë ka bërë MK për ciklin e Kreshnikëve. A kemi listë sa lahutarë kemi sot. A ka bërë botime popullarizuese të njohjes së lahutës, botime jashtëshkollore. Unë kam parë që Kisha Ortodokse Autoqefale i bënë të shkëlqyeshme tekstet njohëse si të njohim artin ikonografik dhe pikturën murale, si dhe shpjegimet se cili është shenjti në pikturë, shpjegime që ndoshta janë edhe të palejueshme të bëhen edhe në programet shkollore, ndërsa kujtojmë që ne nuk kemi të tilla tekste njohëse për polifoninë. Këto mirë që bëhen, por pse të mos jetë dhe lahuta në këto tekstet si trashëgimi, apo të tjera trashëgimi materiale si xhubleta. Dosja për në UNESCO u bë gati, por pritej që të bashkohej me Kosovën si shenjë solidariteti. E papranueshme është që nuk është bërë asnjë veprim tjetër që të futet në UNESCO, sepse nëse futet në listën e saj, e detyron kjo gjë Ministrinë e Kulturës që të bëjë veprimtari për njohjen dhe ruajtjen e lahutës si trashëgimi kulturore.

Në një bisede që kam bërë me lahutarin Isë Murriqi, flitet për disa elementë që koordinojnë, apo shpallin një ngjarje të caktuar në harmoni me kostumin, qëndrimin e lahutarit, përdorimin e instrumentit. Nëse i krahasojmë me lahutarët serbë a shoqërohen këngët me të gjitha elementët që i kanë lahutarët shqiptarë?

Kjo pyetje që më bëre është një temë shumë e gjerë. Tema është shumë e gjerë, sepse e para është kjo që duhet të theksojmë: Cikli i Kreshnikëve ose Eposi Shqiptar ka një subjekt, një vjetërsi që kalon shekujt, por që mund të kalojë edhe mijëravjeçarë dhe heroi i tyre nuk është një heroi historik, por është një hero mitologjik… Cikli kryesisht i serbëve, ka personazhe historike si Mustafa Aga, Basho Mustafa, Krajleviçe Marku, etj. Këtu është edhe ndryshimi thelbësor i teksteve të këngëve të atyre dhe të këngëve tona. Ky ndryshim teksti sjell atë që është gjurmuar, dhe vetë serbët e pranojnë se kuvendet kishtare ortodokse të tyre e kanë pasur jashtëzakonisht të zhvilluar ciklin e tyre epik, sepse murgjit ishin propaganduesit më të mëdhenj që i këndonin heronjve. Dhe kanë pasur këtë që nuk e theksojmë se serbët kishin në regjimente ushtarake lahutarë që iu këndonin heronjve historikë… /Shqiptarja/

 

Exit mobile version