Nënkryetarja e Komunës së Podujevës, Marigona Lahu, ka theksuar rëndësinë e projekteve si EREA, të cilat kanë kontribuar ndjeshëm në rritjen e ndërgjegjësimit dhe promovimin e rolit të grave në shoqëri.
Sipas saj, ky projekt ka ndihmuar jo vetëm në ndërgjegjësimin për rëndësinë e grave, por ka ndikuar edhe në fuqizimin e tyre dhe përparimin e barazisë gjinore.
“Projekti EREA ka qenë një nga ato iniciativa që kanë lënë gjurmë. Ai ka rritur ndërgjegjësimin për rëndësinë e grave në shoqërinë tonë dhe ka ndihmuar në fuqizimin e tyre, duke çuar përpara barazinë gjinore. Ky projekt është pritur mirë nga të gjithë,” theksoi Lahu.
Ajo vlerësoi qasjen miqësore të Komunës së Podujevës ndaj grave në fusha të ndryshme, veçanërisht në sektorin e biznesit dhe bujqësisë.
Lahu përmendi rregulloren komunale për ndarjen e subvencioneve në bujqësi, e cila favorizon gratë në rastet kur kushtet janë të barabarta me aplikantët tjerë.
“Përmes rregullores për subvencione në bujqësi, Komuna u jep përparësi grave kur kushtet janë të barabarta. Kjo është një mënyrë e rëndësishme për të mbështetur gratë e zonës sonë dhe për t’i inkurajuar ato të marrin pjesë aktive në zhvillimin ekonomik,” tha ajo.
Lahu gjithashtu vuri në pah platformën e re “Agrotregu”, e cila lehtëson lidhjen e grave me tregun, duke i mundësuar atyre të shesin produktet e tyre jo vetëm në tregun lokal, por edhe jashtë vendit.
Duke folur për rolin e grave në ekonominë e komunës, Lahu tha: “Komuna e Podujevës është e njohur për gratë e saj të jashtëzakonshme, të cilat shquhen në çdo fushë. Meqenëse një pjesë e madhe e territorit është tokë bujqësore, gratë tona kanë mundësinë të zhvillojnë aktivitete të rëndësishme ekonomike në sektorin e bujqësisë.”
Me këto masa dhe iniciativa, Komuna e Podujevës është e përkushtuar të ofrojë mundësi të barabarta për gratë dhe t’i mbështesë ato në rrugën e tyre drejt suksesit ekonomik dhe pavarësisë. /Telegrafi/