Mitrovica është një qytet që njihet për antikë, histori, kulturë. Një qytet ku frymojnë ende “gjurmët” e historisë që u përjetësuan në hapësirat e qytetit, e përmes kujtesës kolektive ato gjithherë “rikthehen” përmes bisedave mes njerëzish.
Një copëz historie që akoma sjell pjesë të së kaluarës nga jetesa në Mitrovicë është edhe “Lagjja Angleze” në fshatin Stantërg.
Historiani, Enis Kelmendi ka thënë se anglezët u interesuan për xehet dhe pasuritë e zonës së Trepçës dhe mbi këtë bazë filluan të vendoseshin në këtë rajon, shkruan Telegrafi.
Kelmendi ka thënë se anglezët këtë pronë e kishin blerë nga familja Haxhimehmeti dhe në vitin 1924 filluan të vendoseshin këtu ku synonin të fillonin gërmimet nëntokësore të para.
“Ky është qëllimi i ndërtimit të kësaj lagjeje që pastaj për nevojat e trupës angleze, udhëheqësve, menaxhmentit, punëtorëve, mjeshtërve dhe minatorëve që kishin njohuri në këtë lloj zanati filluan ta ndërtojnë lagjen angleze”, ka thënë historiani për Telegrafin.
Ai ka shtuar se gërmime sipërfaqësore në këtë rajon ka pasur që nga periudha iliro-romake.
Ndërsa, gërmimet e para profesionale nëntokësore janë bërë nga anglezët.
“Ky është një impakt i madh që iu dha tërë rajonit sepse xehet fillonin të eksportoheshin, sepse Mitrovica e posedonte hekurudhën dhe stacionin hekurudhor, të gjitha këto u ndërlidhën në një vend ku anglezët me dijen, përvojën dhe lidhjen që e kishin sidomos në aspektin e transportit dhe tregtisë filluan jashtëzakonisht ta zhvillojnë këtë rajon.
Që nga ajo kohë filloi të merr emër rajoni dhe ‘Trepça’ si minierë e suksesshme dhe e pasur, e që më vonë në kohën e ish-Jugosllavisë u zhvillua jo vetëm ekstradimi i xeheve, por edhe shkrirja e përdorimi i saj në ekonominë e gjerë”, ka theksuar Kelmendi, shkruan Telegrafi.
Sipas historianit, anglezët përveç impaktit ekonomik të zonës ata kanë sjellë një kulturë sportive dhe të artit.
Ai ka treguar se anglezët së bashku me banorët tjerë të zonës kanë ndërtuar edhe pishinën që ishte me përmasa olimpike.
“Ata për nevojat e tyre por pastaj e shfrytëzuan edhe popullin në përgjithësi, ndërtuan pishinën me norma olimpike, pastaj sollën sporte të ndryshme si tenisin, ping-pongun, biliardë. Ata ndërtuan edhe kinemanë që për zonën dhe për atë kohë ishte risi dhe shumë me rëndësi për zhvillimin kulturor të vendit dhe rajonit”, ka vijuar Kelmendi.
Historiani ka vlerësuar që kjo zonë duhet të jetë në mbikëqyrje të shtetit dhe të shpallet si vend me rëndësi kulturoro-historike.
“Për këtë arsye të vihen në funksion kinemaja dhe objektet tjera që çdo ditë po i’u ekspozohen shkatërrimit të kohës”, ka deklaruar ai.
Tutje, Kelmendi ka potencuar se së bashku me organizatat jo-qeveritare në Mitrovicë janë duke e promovuar “Lagjen Angleze” si lagje me rëndësi dhe pjesë e qytetit që duhet të ruhet.
“Po mundohemi që përmes botimeve, konferencave, tryezave dhe tureve të ndryshme me vizitorë, ta sensibilizojmë opinionin sa më shumë për këtë pjesë sepse ndoshta është pjesa më e mirë që i ka mbetur këtij vendi”, ka përfunduar historiani, Enis Kelmendi. /AnitaSadiku/