Ish-tenisti ukrainas Aleksandr Dolgopolov, 36-vjeç, po lufton përkrah ushtrisë ukrainase kundër forcave pushtuese ruse, e këto ditë sërish fitoi vëmendjen e mediave me një postim në rrjetet sociale.
Në fakt, ish-tenisti që dikur renditej në vendin e 13-të të më të mirëve në botë, aktualisht është operator i dronëve, ku me ndihmën e tyre arrin të gjuaj bomba mbi objektivat ruse, transmeton Telegrafi.
“Me stërvitje drejt përsosmërisë. E komentet e bashkëluftëtarëve të mi janë të paçmueshme”, ka shkruar Dolgopolov në Twitter, duke shpërndarë disa video nga stërvitjet.
Në një intervistë të dhënë kohë më parë, Dolgopolov pati deklaruar se lufta është një rrëmujë e madhe.
Practice makes perfect.
Comments of brothers in arms = priceless😅🫡🇺🇦 pic.twitter.com/DTgJfGplkd— Alex Dolgopolov (@TheDolgo) January 31, 2023
“Tenisi në njëfarë forme më ka përgatitur për luftë. Duhet të ruani qetësinë kur jeni nën presion dhe të reagoni shpejtë dhe me precizitet, duke marrë vendime të duhura. Nuk bëj panik, shumë teknika në tenis mund të përdoren edhe në luftë. Vendimet e gabuara në luftë mund të kushtojnë me jetë njerëzish”, pati thënë Dolgopolov.
Ukrainasi fitoi tre tituj të kampionit në karrierën e tij – Buenos Aires në 2017, Uashington në 2012 dhe Umag në 2011.
Megjithatë, kur rusët filluan pushtimin e territorit të Ukrainës, Dolgopolov iu bashkua ushtrisë dhe hoqi dorë nga tenisi. /Telegrafi/