Duket se Franca nuk do të mbajë më vendin e parë në Europë, si një nga destinacionet më të frekuentuara nga turistët
Të paktën, sipas të dhënave të fundit të një raporti të quajtur “NextGen Travelers and Destinations”, i realizuar së bashku me Google dhe Deloitte, ekziston një vend tjetër që do të tërheqë edhe më shumë vizitorë deri në vitin 2040 dhe ky vend është Spanja.
Aktualisht në vendin e dytë, ky destinacion evropian i njohur për plazhet e bukura, kulinarinë e pasur me gatime tradicionale dhe jo vetëm, jetën e natës dhe shërbimin hotelier mikpritës për çdo klient është parashikuar që do të mirëpresë deri në 110 milionë turistë në vit.
Dhe nuk është e vështirë të kuptohet pse! Me një mesatare prej 300 ditësh me diell në vit, ky destinacion është një zgjedhje për këdo që prenoton biletat e udhëtimit disa muaj para për pak aventurë dhe diell evropian.
Parashikimi për 110 milionë vizitorë shënon një rritje prej mbi 24%, me rreth 84 milionë njerëz që vizituan Spanjën në vitin 2023, një numër rekord për rajonin.
Këtë vit, Spanja u vizitua nga 6.3 milionë turistë ndërkombëtarë vetëm në mars, 21% më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit 2023, sipas të dhënave të publikuara nga Instituti Kombëtar i Statistikave (INE).
Vendi theu edhe një herë rekordin për shpenzimet turistike gjatë të njëjtit muaj, me vizitorët e huaj që sollën pothuajse 8.65 miliardë euro (9.26 miliardë dollarë), një rritje prej 29.7% krahasuar me të njëjtën periudhë në vitin e kaluar. Por, tani për tani Franca mbetet në pozitën e sondazheve si vendi më i vizituar në botë, citon Anabel.
Sipas Hannah Free, analiste e turizimit në GlobalData:
“Përkrah Italisë dhe Spanjës, Franca përfaqëson një zgjedhje të rëndësishme turistike në Evropën Perëndimore. Vendi nuk është i popullarizuar vetëm me udhëtarët nga Europa, veçanërisht Britania e Madhe, Gjermania dhe Belgjika, por edhe nga turistët që vijnë nga vende si Kina apo Shtetet e Bashkuara.”
/Telegrafi/