Me 69 vota për, një kundër dhe gjashtë abstenime, deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë themeluar Komisionin hetimor për rezervat shtetërore.
Kjo iniciativë ka ardhur nga opozita pas dyshimeve të bazuara për abuzimet e mundshme lidhur me procesin e furnizimit të rezervës shtetërore, që është kompetencë e Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, drejtuar nga Rozeta Hajdari.
Kryesues i Komisionit do të jetë deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Rashit Qalaj.
“Kërkohet nga Komisioni hetimor që të veprojë në përputhje me ligjin dhe Kuvendit t’ia paraqes raportin për rezultatin në afat të paraparë, prej 6-muajsh prej themelimit të tij”, tha Konjufca.
Ky Komision është propozuar që t’i ketë 11 anëtarë, ku LVV do t’i ketë 5 anëtar, PDK do ta ketë kryesuesin dhe 1 anëtar, LDK-ja zëvendëskryetarin dhe 1 anëtar, AAK-ja dhe grupi multietnik nga 1 anëtar. /Telegrafi/