Epopeja e UÇK-së është shënuar nga Kuvendi i Komunës së Prizrenit me një seancë solemne, ku është theksuar se kjo ngjarje simbolizon guximin, vendosmërinë dhe sakrificën për liri.
Kuvendarët dhe zyrtarët e Ekzekutivit kanë vlerësuar rolin e komandantit Adem Jashari, familjes Jashari dhe të gjithë dëshmorëve në luftën për lirinë dhe dinjitetin e Kosovës, raporton Telegrafi.
Kryesuesja Antigona Berisha-Bytyqi ka theksuar se Epopeja e UÇK-së është njëra prej ngjarjeve më të rëndësishme në historinë e Kosovës, meqë “simbolizon sakrificën, guximin dhe vendosmërinë e popullit tonë për liri”.
Karanfil Haxhillari (LVV) ka pohuar se “nuk ka përkufizim gjuhësor, historik dhe filozofik që mat përmasat e kësaj sakrifice, që morri edhe dimensione legjendare”.
Adrit Krasniqi (PDK) ka shprehur qëndrimin se Epopeja e UÇK-së e shkruar me gjak e sakrificë, nuk është thjeshtë një kapitull i historisë sonë, por “themeli mbi të cilin qëndron sot shteti ynë i lirë dhe sovran”.
Marin Përgjokaj (LDK) ka deklaruar se datat 5, 6 dhe 7 mars “na kujtojnë me krenari të madhe se çmimi i lirisë nuk matet me fjalë, por me sakrificë dhe dashuri të paparë ndaj atdheut”, prandaj dhe sipas tij “në këto ditë zemrat e popullit janë të bashkuar për të kujtuar ata që dhanë jetën për lirinë e vendit”.
Agim Muçaj (AAK) ka thënë se Epopeja e UÇK-së është ngjarja më kulmore e historisë së Kosovës, që “përcjellë ndër vite lavdinë e luftës për liri, në krye me komandantin legjendar Adem Jashari dhe familjen Jashari”.
Shukri Quni (NISMA) ka përkujtuar se 27 vjet më parë në Prekaz, kanë rënë 55 heronj të Kosovës. “Armiku mendoi se do ta shkatërronte rezistencën. Por jo, asnjëherë nuk mundi ta shkatërronte vullnetin për liri. Ne vazhduam me vendosmëri luftën për liri dhe pavarësi”, ka thënë ai, raporton Telegrafi.
Epopeja e UÇK-së është përkujtuar edhe me mesazhet e kuvendarëve nga radhët e komuniteteve jo-shumicë.
Ndërkaq nënkryetari Kujtim Gashi, ka theksuar se në tri ditët e marsit të vitit 1998, “Drenica dhe e gjithë Kosova dëshmuan heroizmin dhe vendosmërinë e një populli, që nuk pranoi të nënshtrohej përballë dhunës dhe padrejtësisë”.
Përgjatë 5, 6 dhe 7 marsit të vitit 1998, Adem Jashari, simboli kryesor i UÇK-së, së bashku me familjen dhe bashkëluftëtarët, refuzuan të dorëzohen përballë rrethimit dhe sulmeve të ashpra serbe. Gati e gjithë familja Jashari u flijua, duke hyrë në histori si shembulli më i madh i sakrificës për lirinë e Kosovës. /Telegrafi/