Kuvendi Komunal i Mitrovicës Veriore ka mbajtur sot seancë solemne në kuadër të 27-vjetorit të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).
Kryetari i Komunës së Mitrovicës Veriore, Erden Atiq ka thënë se ky përvjetor shërben si moment për të vlerësuar rolin e UÇK-së në çlirimin e Kosovës, shkruan Telegrafi.
“Sot, për nder të 27-vjetorit të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Komuna jonë mbajti seancë solemne për të nderuar sakrificën dhe heroizmin e të gjithë atyre që luftuan për lirinë e Kosovës. Ky përvjetor shënon një moment të rëndësishëm për të ruajtur kujtimin e sakrificës dhe për të vlerësuar rolin e UÇK-së në çlirimin e vendit tonë”, ka thënë Atiq.
Ai ka thënë tutje se ideali i luftës për liri do të mbetet gjithmonë i rrënjosur në ndërgjegjen e popullit të Kosovës.
Sipas kryetarit të Komunës së Mitrovicës Veriore, në këtë seancë solemne është theksuar se trashëgimia e UÇK-së është një element i pazëvendësueshëm në ndërtimin e të ardhmes sonë.
“Gjatë kësaj ngjarjeje, theksuam se trashëgimia e UÇK-së është një element i pazëvendësueshëm në ndërtimin e të ardhmes sonë dhe se vlerat e sakrificës, unitetit dhe lirisë do të vazhdojnë të shërbejnë si udhërrëfyes për brezat që do të vijnë”, ka shtuar Atiq. /Telegrafi/