Për nder të Ditës së Pavarësisë së Kosovës, sot Kuvendi Komunal i Mitrovicës Veriore ka mbajtur një seancë solemne për të shënuar këtë ditë.
Kryetari i Komunës së Mitrovicës Veriore, Erden Atiq, ka thënë se lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) i ka hapur rrugë shpalljes së Pavarësisë së Kosovës.
“Njësoj si një shekull më parë, Lidhja e Prizrenit i hapi rrugë shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë. Të gjithë dëshmorët tanë ranë për lirinë e kombit shqiptar sepse në zemër kishin çlirimin e Kosovës”, ka thënë Atiq.
Atiq ka thënë se në kohën kur populli shqiptar përballej me okupatorin serb, atë të bashkuar e mbante dashuria për atdheun.
“Përvoja na ka mësuar, neve shqiptarëve, se po aq sa festojmë, në të njëjtën kohë, po aq duhet të reflektojmë për sfidat që i kemi përpara dhe pengesat që duhet t’i kapërcejmë”, u shpreh kryetari.
Atiq ka thënë tutje se Serbia nuk e fsheh qëllimin e saj për destabilizimin e Kosovës dhe se e njëjta sipas tij, “na lufton brenda dhe jashtë”, shkruan Telegrafi.
“Bota sot është më e pasigurtë se dje për shkak të sulmit të Rusisë mbi Ukrainën, e cila sulmon NATO-n dhe BE-në. I vetmi shtet në mes të Evropës që mbetet lidhur me Rusinë është Serbia. Serbia nuk e fsheh aspak qëllimin e saj për destabilizimin e Kosovës dhe ndarjen faktike të shtetit tonë. Serbia na lufton brenda dhe jashtë, pa zgjedhur mjete, prej diplomacisë e deri tek financimi dhe kontrollimi i grupeve kriminale brenda vendit tonë”, ka shtuar ai.
“Ne do të mund të shënojmë arritjen tonë të radhës si komb vetëm nëse e kombinojmë mençurinë e Ukshin Hotit, atdhedashurinë e Adem Demaçit dhe maturinë e Fehmi Aganit”, ka theksuar i pari i kësaj komune.
Më tej, ai ka uruar Ditën e Pavarësisë së Kosovës.
“Urime Dita e Pavarësisë së Kosovës të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës. Rroftë kombi shqiptar!”, ka përfunduar kryetari i Komunës së Mitrovicës Veriore, Erden Atiq.
Ndërsa, kryesuesi i Kuvendit Komunal të Mitrovicës së Veriut, Nexhat Ugljanin dhe zëvendës – kryesuesi i Kuvendit Komunal në Mitrovicën Veriore, Skender Sadiku kanë uruar shkurtimisht Ditën e Pavarësisë së Kosovës.
Sot, Kosova shënon 17-vjetorin e Pavarësisë, derisa në të gjitha qytetet po mbizotëron atmosferë festive gjatë ditës së sotme. /Telegrafi/