Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, tha se barrikadat në veri do të hiqen kur Kosova të formojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe.
“Fillimisht formoni Asociacionin e komunave serbe, pastaj do t’i heqim barrikadat”, u tha Vuçiq gazetarëve në Azerbajxhan, ku po qëndron për vizitë dy-ditore.
Siç raporton “N1”, Vuçiq ka thënë se Prishtina nuk dëshiron as të dëgjojë, por vetëm ta poshtërojë Beogradin.
“Mund të përpiqeni (të poshtëroni) deri në një kufi të caktuar, më tej kur nuk kemi ku të shkojmë – si miu në një qoshe, ne do të mbrohemi me të katër këmbët”, tha Vuçiq.
Ai vlerësoi se sjellja e KFOR-it është shumë më korrekte sesa sjellja e shumicës së qeverive perëndimore.
“Ata (KFOR) po e trajtojnë situatën në mënyrë serioze dhe të përgjegjshme”, tha Vuçiq.
Presidenti serb ka kërkuar shpjegim nga Prishtina në lidhje me arrestimin e ish-policit të policisë së Kosovës, Dejan Pantiq, duke thënë se Beogradit nuk i janë thënë arsyet e arrestimit të tij.
Tensionet në veriun e Kosovë kanë kulmuar më 10 dhjetor, pas arrestimit të ish-policit serb, Dejan Pantiq, nga Policia e Kosovës.
Pantiq akuzohet për përfshirje në një sulm kundër zyrtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe atyre policorë në veri.
Autoritetet e Kosovës u përpoqën të organizojnë zgjedhje në katër komunat në veri të Kosovës – Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Zveçan dhe Leposaviq – pas vendimit të përfaqësuesve të serbëve atje për t’u larguar nga institucionet e Kosovës.
Braktisja e institucioneve, me mbështetjen e Serbisë, ndodhi pas vendimit të Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e makinave me targa të paligjshme serbe në veri të Kosovës.
Me sugjerimin e BE-së dhe të SHBA-së, zgjedhjet u shtynë për në pranverë të vitit të ardhshëm.
Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian u bëjnë vazhdimisht thirrje Kosovës dhe Serbisë që t’i ulin tensionet dhe t’u kthehen bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve. /Telegrafi/