Site icon Telegrafi

Kush u bë e kush u zhgënjye, përmbledhje e kandidatëve për deputetë

“Profën e respektoj dhe e dua shumë, por votën nuk ia kam dhënë.”

Liridon Leci nuk e mbështeti kolegun e tij, por “Profa” i Duelit Sportiv grumbulloi plot 12,366 vota.

Bylbyli u tregua Sokol, duke siguruar ulësen e deputetit.

Nga ana tjetër, një votues i Lëvizjes Vetëvendosje tregoi se e pëlqen këngëtaren Edona Llalloshi, duke thënë se askush tjetër nuk do ta zë vendin e saj në Kuvend. Me gati 27,000 vota, ajo u rendit në top 15-shen e Vetëvendosjes, ndërsa ministrja Rozeta Hajdari nuk arriti as në top 50.

Në Kuvend, Edona Llalloshi do ta ketë pranë edhe Agim Bahtirin, i cili fitoi mbi 15,000 vota.

Një nga shpërthimet më të mëdha të këtyre zgjedhjeve është Faton Peci i Listës Guxo, që e trefishoi rezultatin e tij duke mbledhur 84,000 vota, duke u bërë i treti më i votuar në partinë e Kurtit.

Por rekordin e Vjosa Osmanit nga zgjedhjet e 2021, me 300,000 vota, nuk e arriti as Albin Kurti, i cili këtë herë mori 222,000 vota, rreth 80,000 më pak se Presidentja.
Pas tij u rendit Glauk Konjufca, me 170,000 vota, afërsisht 30,000 më pak se Kurti.

Ndërkohë, Hekuran Murati, Ministër i Financave, e dyfishoi votën e tij duke siguruar mbi 80,000 vota.

Një tjetër fitues i madh është Xhelal Sveçla, i cili nga 10,000 vota në 2021, tani ka grumbulluar 73,000 vota.
Në krahun tjetër, Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, ka gati gjysmën më pak vota krahasuar me herën e kaluar.

Një nga befasitë më të mëdha të këtyre zgjedhjeve është Xhavit Haliti i PDK-së, i cili për tetë palë zgjedhje radhazi kishte siguruar një ulëse në Kuvend, por këtë herë votuesit e lanë jashtë. Në rrezik janë edhe Hisen Berisha, Ardian Kastrati dhe Hajdar Beqa.

Enver Hoxhaj, që në zgjedhjet e kaluara ishte bartës i listës me mbi 100,000 vota, tani është i gjashti në PDK me vetëm 23,000 vota.
Në të kundërtën, Bedri Hamza, që kësaj here ishte kandidat për kryeministër, mori mbi 122,000 vota, duke dalë si më i votuari në PDK.

Pas tij vjen Memli Krasniqi, me gati 70,000 vota, një rritje gjashtëfish krahasuar me vitin 2021.
top 5-shen e PDK-së janë gjithashtu Uran Ismaili (29,000 vota), Vlora Çitaku (28,000 vota) dhe Sala Jashari (27,000 vota), një 25-vjeçare e panjohur deri tani, por që befasoi të gjithë.

Në LDK, Lumir Abdixhiku e çoi partinë përpara duke fituar mbi 87,000 vota, një rritje e ndjeshme nga 25,000 vota në 2021.
Pas tij, më e votuara është Doarca Kica-Xhelili, me 35,000 vota.
Në mesin e më të votuarve në LDK janë edhe Hykmete Bajrami (33,000 vota), Kujtim Shala (29,000 vota), Avdullah Hoti (24,000 vota) dhe Lutfi Haziri (23,000 vota).

Koalicioni AAK-Nisma siguroi tetë deputetë, pa ndonjë surprizë në listën e të votuarve.
Ramush Haradinaj, me mbi 34,000 vota, prin listën, i ndjekur nga Daut Haradinaj (20,000 vota) dhe Fatmir Limaj (19,000 vota).

Deputetja më e votuar e AAK-së është Time Kadrijaj me 12,000 vota, ndërsa Bekë Berisha dhe Lahi Brahimaj e mbyllin pesëshen kryesore.

Këto rezultate janë bazuar në numërimet paraprake të publikuara nga mediat, ndërsa numërimi zyrtar ende nuk ka përfunduar.

Raporti i RTVD.

Exit mobile version