Site icon Telegrafi

Kush është Vladimir Bozhoviq, rektori malazez që ka lidhje të ngushta me rusët?

Profesor, matematikan dhe kriptograf, ish-kryetar i Bordit Ekzekutiv të “Matica Srpska”, themelues i portalit IN4S dhe “Shtëpia Serbe” dhe rektor aktual i Universitetit të Podgoricës (UCG), ky është Vladimir Bozhoviq.

Bozhoviq ka ndërtuar një sferë ndikimi që mbulon mediet dhe OJQ-të, pra një sferë e identitetit serbo-rus.

Siç raportojnë mediet malazeze, profesori universitar ka qasje të qytetëruar, por që është në përputhje me idenë e tij për ta shtrirë “fuqinë e butë”.

“Fuqia e butë”, megjithatë, nuk mund të funksionojë pa një klub, apo siç thoshte presidenti amerikan Theodore Roosevelt, “fol butësisht dhe mbaj një shkop të madh”. Klubi i Bozhoviqit është IN4S, një portal i cili në mënyrë brutale dhe të paparë më parë në Mal të Zi, i cili ka thyer çdo rregull të shkruar të gazetarisë profesionale, merret me armiqtë ideologjikë dhe ata kombëtarë.

Administrata amerikane e cilësoi portalin IN4S si një vegël e propagandës dhe një mjet i fuqisë së butë ruse në Mal të Zi.

Si të gjithë njerëzit seriozë, edhe Bozhoviq ka një sistem të saktë të vlerave dhe një ideologji të qëndrueshme, gjë që i përshtatet pretendimit të tij se Mali i Zi është një vend i “esencës pan-sllave serbe, ortodokse dhe pro-ruse”.

Në vitin 2015, në konferencën “Lufta mes Rusisë dhe Serbisë dje dhe sot – Lufta e Dytë Botërore, Jugosllavi 1991-1999, Ukrainë 2014-2015”, Bozhoviq kishte paraqitur tezën se rasti malazez ka ngjashmëri me atë të ukrainas, e cila do të riprodhohet më vonë nga e djathta serbe në Mal të Zi – ndër të tjera edhe vëllezërit Joanikije dhe Millutin Miçoviq.

“Kisha Ortodokse Serbe është organizata shoqërore më domethënëse dhe vitale pro-ruse në Mal të Zi dhe ka një potencial të madh që Rusia nuk e ka shfrytëzuar plotësisht. Në kuptimin historik, Mali i Zi është një vend i esencës shpirtërore ortodokse serbe, pro-ruse dhe pan-sllaviste, por këto shtresa janë gërryer dalëngadalë nën ndikimin e ndikimeve të ndryshme”, pati thënë në atë kohë Bozhoviq.

Në të njëjtin fjalim, ai pohoi se socializmi, filmat dhe muzika amerikane janë fajtorë për faktin se malazezët nuk janë më kryesisht serbë pro-rusë.

Ky prezantim i Bozhoviqit kishte një peshë të veçantë sepse që atëherë Kisha Ortodokse Serbe ishte përfshirë drejtpërdrejt në proceset politike në Mal të Zi përmes mbështetjes së Frontit Demokratik. Në vjeshtën e vitit 2015, pati disa ditë protesta të dhunshme nga Fronti në Podgoricë. Në ato tubime morën pjesë edhe përfaqësues të KOS-it.

Sipas tij, sovraniteti i Malit të Zi prej kohësh është bërë luks i të mëdhenjve dhe të fortëve.

Në të njëjtin tekst, rektori i UCG-së theksoi se Konventa e Kosovës është ADN-ja e “bashkimit” të vitit 1918.

“Që të mos shemben të gjitha urat, të mos ndahen tërësisht brigjet tona të brendshme, të bashkohen, duhet të fitojmë! Përsëri. Ashtu si në vitin 1918!”, ishte shprehur Bozhoviq. /Telegrafi/

Exit mobile version