Shefja e Grupit Parlamentar të LVV-së, Mimoza Kusari-Lila ka thënë se si subjekt politik nuk do të mbështesin kërkesën për mocion mosbesimi të një grupi parlamentar individualisht.
Ajo u shpreh se nuk ka konsensus brenda partive të opozitës.
“Tri grupet parlamentare të opozitës kanë 42 vota bashkë 2 vota janë të deputetëve të pavarur nëse 44 vota nuk ju bashkohen 16 vota të LVV-së sipas deklarimit të tyre atëherë shanset për çfarëdo suksesi të mocionit janë të vogla”, ka thënë Kusari-Lila.
Ajo ka shtuar se në anën tjetër ka kërkesa për dorëheqje dhe shpërbërje të Kuvendit që duhen 2/3 e votave.
“Të gjitha këto nuk mund të bëhen në nivelin e deklarimeve politike nga grupime të veçanta për të caktuar një datë të zgjedhjeve në një datë më të afërt sesa zgjedhjet e rregullta”, tha Kusari-Lila.
Shefja e deputetëve të LVV-së ka thënë se duhet të ketë edhe seriozitet dhe përkushtim të partive politike për dialog të mirëfilltë.
“Përderisa grupet politike të opozitës nuk e kanë këtë duket pak joserioze të kërkohen votat e pozitës për të shpërbërë Kuvendin apo për të mbështetur mocionin e mosbesimit”, tha Kusari-Lila. /Telegrafi/