Me rastin e ditëlindjes së 81-të të profesorit dhe mendimtarit politik Ukshin Hoti, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka bërë homazhe pranë bustit të tij dhe vizitoi Shtëpinë Muze të Ukshin Hotit, në Krushë të Madhe.
Në përkujtim të figurës së tij, kryeministri shprehu nderimet më të larta dhe mirënjohjen e thellë për jetën dhe veprën e profesor Ukshin Hotit.
“Ashtu qysh rikthehemi në Krushë të Madhe për çdo ditëlindje dhe sa herë që mundemi ndërmjet ditëlindjeve, gjithashtu e rilexojmë veprën e bacës Ukë, sepse ajo është përherë aktuale dhe flet për kohën tonë jo më pak se sa për kohën kur ai shkroi, studioi, punoi, jetoi e veproi”, tha kryeministri Kurti.
Kryeministri u shpreh se e vërteta për profesor Ukshin Hotin me siguri ndodhet në arkivat e Beogradit, teksa rikujtoi se ai është zhdukur pas lirimit nga burgu dhe atë menjëherë në maj të vitit 1999. “Prandaj, ata që janë fajtorë, ata që janë përgjegjës, ata e kanë edhe arkivën e zhdukjes së profesor Ukshin Hotit”, shtoi kryeministri.
Ai nënvizoi dhe se tashmë e kemi një Komision me vendim të Qeverisë, që do ta bëjë ribotimin e veprës së plotë të Ukshin Hotit, dhe njëkohësisht do të botojë edhe tekste, dokumente të pabotuara deri më tani, duke rikujtuar që një pjesë e konsiderueshme e teksteve janë djegur atëherë kur është djegur kjo shtëpi e cila sot është Shtëpi Muze.
“Populli i Kosovës jeton i lirë, i pavarur, kemi shtetin tonë, Republikën e Kosovës, Republikën për të cilën edhe në kuptimin teorik edhe në aspektin praktik ka bërë aq shumë Ukshin Hoti dhe kriminelët kanë ikur, ndërkaq pasardhësit e Ukshin Hotit edhe biologjik edhe politik ja ku janë, ja ku jemi bashkë”, përmbylli prononcimin kryeministri.
Përgjatë vizitës, kryeministri Kurti shkroi dhe në librin e kujtimeve të Shtëpisë Muze:
“Rikthehemi në ditëlindjen e prof. Ukshin Hotit, për çdo vit në Krushë të Madhe, dhe, sa herë që mundemi ndërmjet ditëlindjeve. Rikthimi në Krushë të Madhe dhe rileximi i veprës së Ukshin Hotit janë detyrë kombëtare dhe qytetare dhe njerëzore për secilin dhe të gjithë. Shtëpia Muze është vend i lavdisë historike shqiptare të mendimit të thellë politik dhe të një jete të jetuar denjësisht”./Telegrafi/