Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se vendosja e masës së reciprocitetit për mallrat serbe dhe boshnjake nuk do të jetë për hakmarrje.
Kurti në një konferencë për medie njofton se gjatë takimi me përfaqësues të Odës Ekonomike të Kosovës kanë biseduar për çështjet lidhur me biznesin.
“Me Odën Ekonomike të Kosovës kemi diskutuar shumë çështje bilaterale për bizneset. Fokusi ynë në takim nuk ka qenë reciprociteti. Ju siç e dini edhe në fushatën tonë parazgjedhore nuk ka qenë kryefjala Serbia, por luftimi i korrupsionit dhe mirëqenia e qytetarëve. Lidhur me tarifën 100 për qind, unë u njoftova nga OEK se ekzistojnë shumë shkelje të tregtisë përmes barrierave tarifore. Reciprociteti nuk është për hakmarrje. Reciprociteti është përbrenda marrëveshjeve ndërkombëtare dhe ligjeve që t’i mbrojmë interesat e shtetit dhe ekonomisë sonë”, u shpreh Kurti.
Kujtojmë se qeveria e udhëhequr nga ish-kryeministri Ramush Haradinaj në muajin nëntor 2018, kishte vendosur taksën doganore për mallrat serbe dhe boshnjake që vijnë në drejtim të Kosovës. /Telegrafi/