Telegrafi

Kurti thotë se me vendimin e ri për targat ka informuar ambasadorët e QUINT-it

Qeveria e Kosovës sot ka miratuar vendimin e për çështjen e targave ilegale që lëshohen nga Serbia, që do të zbatohet në katër faza.

Zbatimi i vendimit parasheh që nga 21 prilli i vitit të ardhshëm “të hiqen” të gjitha targat që nuk janë RKS- Republika e Kosovës.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se për planin e ri për targat i ka informuar edhe përfaqësuesit e QUINT-it, me të cilët ka biseduar para mbledhjes së Qeverisë.

Pavarësisht se tha që ata fillimisht i kërkuan që të shtynte afatin për riregjistrim, me të dëgjuar për vendimin e ri, ambasadorët e vendeve të QUINT-it thanë se do të tregojnë mendimin e tyre pasi të jenë konsultuar me kryeqendrat e tyre.

“Së bashku me ministrin Sveçla, me dy zëvendëskryeministrat kemi takuar pesë ambasadorët e QUINT-it dhe ambasadorin e BE-së dhe me atë rast ua prezantuam qëndrimin tonë. Natyrisht që qëndrimi, ideja e tyre ka qenë gjithçka të spostohet në kohë për më shumë muaj, por ne besojmë se kjo është zgjidhja më e mirë”.

“Me ç’rast ata nuk e dinin këtë propozim tonin paraprakisht, patën disa pyetje dhe më pastaj thanë se u nevojitet të konsultohen me kryeqytetet e tyre për ta dhënë mendimin lidhur me këtë vendim tonin, i cili ishte propozim në mbledhjen e fundit të qeverisë”, është shprehur Kurti.

Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kanë kërkuar që Kosova të shtyjë afatin për targat për dhjetë muaj.